Tahiri: Marrëveshje për diploma në dobi të shqiptarëve

Prishtinë | 10 Sht 2016 | 16:54 | Nga

Qeveria e Kosovës njofton se në Bruksel është mbajtur takimi për zbatimin e Marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave. Në takim morën pjesë delegacionet e të dyja shteteve, Republikës së Kosovës dhe të Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Në këtë takim, Bashkimi Evropian bëri të njohur se e ka përcaktuar mekanizmin ndërkombëtar si certifikues të diplomave të nivelit universitar ( për bachelor, master dhe doktoraturë) të lëshuar nga të dy shtetet. Ky mekanizëm përbëhet nga ekspertë të fushës akademike të BE-së dhe diplomat e certifikuara do të mbajnë logon e BE-së. Pas certifikimit nga BE-ja, pastaj të dyja shtetet kanë detyrim të njohin dhe certifikojnë diplomat universitare të njëra- tjetrës ashtu siç e përcakton marrëveshja për diploma e arritur në Bruksel më 19 Janar 2016”, thuhet në një komunikatë të Zyrës së Kryeministrit.

Ministrja Tahiri thuhet se se ka vlerësuar “lart” këtë hap të ndërmarrë nga Bashkimi Evropian si dhe inkurajon kandidatët e interesuar për njohjen e diplomave të aplikojnë pranë zyrave të organizatës SPARK në të dyja shtetet për të paraqitur aplikacionin për njohje e diplomave cila pastaj do ta realizojë procesin e certifikimit ndërkombëtar.

Tahiri sidomos vlerësoi se kjo marrëveshje është shumë e dobishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës të cilët kryesisht kanë kryer studimet në Kosovë që të aplikojnë për certifikimin e diplomave të mundësuar nga dialogu i Brukselit. Ajo shprehu bindjen se tani të diplomuarit, shqiptarët e Luginës së Preshevës, duhet të shfrytëzojnë këtë mundësi që të kthehen të jetojnë dhe punojnë në trevat e tyre duke mos lejuar skemat e Serbisë për zbrazjen e luginës së Preshevës nga shqiptarët, e cila po ndodh tash shumë vite.
Në takim, BE ka njoftuar poashtu se është në finalizim të kontraktimit edhe të një organizate tjetër ndërkombëtare e cila do të bëjë certifikimin e diplomave të nivelit parauniversitar që përfshijnë certifikimin e diplomave të shkollimit fillorë, të mesëm, vokacional, nivelin e pestë të kualifikimeve sipas kornizës së kualifikimeve evropiane (EQF), etj.

Takimi i radhës i grupit punës për vlerësimin e zbatimit të marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave pritet të mbahet pas dy jave ku palët do të takohen me partnerin zbatues të marrëveshjes SPARK dhe përfaqësuesit e BE-së.

Delegacioni i udhëhequr nga ministrja Edita Tahiri kishte në përbërje edhe këshilltaren dhe koordinatoren e çështjes Arjeta Rexhaj, Drejtorin e Zyrës për Planifikim Strategjik – Qemajl Marmullakaj, Këshilltari Politik dhe Shef i Kabinetit MAShT – Kushtrim Shkodra dhe përfaqësuesi nga Ambasada e Kosovës në Belgjikë, Haxhi Bajraktari.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme