Takimi i parë Gashi – Majko: Dy Qeveri, një diasporë shqiptare

Prishtinë | 07 Nën 2017 | 11:30 | Nga

Zv. Kryeministri dhe Ministri i Diasporës, z. Dardan Gashi në ditën e dytë të vizitës në Republikën e Shqipërisë u takua me homologun, Ministrin e Shtetit të Diasporës, z. Pandeli Majko.

Në këtë takim, konkret sa i përket detyrimeve karshi diasporës, ashtu ed​he miqësor për nga natyra, dy Ministrat biseduan për projektet që dy Ministritë do ti udhëheqin në të ardhmen në të mirë të diasporës shqiptare.

Pikënisja e takimit ishte dakordimi që diaspora shqiptare është unike dhe e pandarë, potenciali i së cilës duhet që të promovohet si dhe të shërbejë në avancimin e bashkëpunimit të mëtejmë mes institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë dhe bashkatdhetarëve tanë.

“Jemi dy shtete që përfaqësojmë një diasporë. Duke thënë këtë, dihet që organizimi i diasporës bëhet bashkë, pavarësisht prejardhjes, dhe ky organizim ka rezultuar me një migracion shumë të suksesshëm”, theksoi Ministri Majko duke uruar Zv. Kryeministrin Gashi për punën dhe emërimin në këtë pozitë.

Ministri Gashi u shpreh jashtëzakonisht i kënaqur që tashmë është një adresë ne Qeverinë e Republikës së Shqipërisë me të cilën do të intensifikohet bashkëpunimi në të mirë të diasporës, posaçërisht në ruajtjen e identitetit në diasporë.

“Emërimi i Ministrit Majko është një lajm jashtëzakonisht i mirë për të gjithë shqiptarët, pasi që nuk mund të gjendet një figurë më unifikuese dhe është fat për mua të bashkëpunoj me z. Majko në të mirë të diasporës shqiptare. Na presin shumë punë së bashku, dhe pres me padurim që të fillojmë projektet e përbashkëta”, theksoi Ministri Gashi.

Gjatë takimit u diskutua edhe për tri marrëveshjet që presin të nënshkruhen në mbledhjen e dy qeverive më 27 nëntor në Korçë për bashkëpunim në fushën e diasporës dhe migracionit.

Zv. Kryeministri Gashi, në kuadër të agjendës, gjatë ditës do të takojë Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Lindita Nikolla si dhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta. ​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme