Të gatshëm për matjen e territorit

Prishtinë | 07 Shk 2017 | 17:10 | Nga

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës ka mbledhur dokumentet e nevojshme për të filluar punën në terren.

Anëtari i grupit të ekspertëve dhe zëdhënësi i komisionit, Tomor Çela tha për Radion Evropa e Lirë se komisioni ka pranuar dokumentet e nevojshme dhe brenda javës do të prezantohen nga institucionet përkatëse për shqyrtim dhe diskutim.

“Ne jemi në fazën e rishikimit të dokumentacionit komplet. Me datën 10 do ta kemi një takim të përbashkët ku secili institucion do të prezantojë të gjeturat e veta rreth sipërfaqeve dhe projekteve që i kanë realizuar në territorin e Kosovës”, ka thënë Çela.

Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh anëtari i komisionit, tha po ashtu se përfaqësuesit e komunave nga të cilat është kërkuar dokumentacioni për territor, i kanë dorëzuar në komision.

“Ne si komuna kemi dorëzuar dokumentacionin e kërkuar. Atë çka posedon Komuna e Pejës, (është dorëzuar dokumentacion) 602 kilometra katrorë e 58 hektarë është sipërfaqja totale e komunës së Pejës. Në bazë të llogarisë së matjeve që do të bëhet më tutje, do të konstatohet a ka humbje të territorit – a mungojnë ato 83 kilometra që po i propagandon opozita dhe disa deputet të pozitës”, ka thënë Muhaxheri.

Komisioni përbëhet nga ekspertë, të cilët janë deleguar nga institucionet dhe subjektet e ndryshme vendore.

Në këtë komision gjatë punës pritet të ketë edhe ekspertë në cilësinë e vëzhguesve nga institucionet dhe përfaqësitë ndërkombëtare në Kosovë.

Formimin dhe punën e këtij komisioni e kanë kundërshtuar partitë politike opozitare dhe nuk kanë dashur që të marrin pjesë në ketë komision duke thënë se “nuk dëshirojnë të legjitimojmë veprime dhe marrëveshje tejet të dëmshme për të ardhmen e Kosovës, siç është edhe Komisioni për matjen e territorit”.

Në Komisionin e ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës nuk po marrin pjesë as përfaqësuesit e banorëve të brezit kufitar mes Kosovë dhe Malit të Zi.

Ali Lajçi, ishte caktuar nga komisioni si përfaqësues i banorëve, por ai nuk ka marrë pjesë dhe konfirmon se nuk do të përcjellë punimet e komisionit.

“Nuk kam shkuar ngase e konsiderojmë si farsë. Është humbur legjitimiteti, kurse tash po bëhen prova për të dërguar edhe një herë (në Kuvend) për ta bërë një kamuflim. Ne nuk jemi të interesuar ta legjitimojmë atë lloj projekti tashmë të dështuar”, tha Lajçi.

Partitë politike opozitare në vitin e kaluar patën bllokuar disa herë seancat plenare, duke përdorur dhe gazin lotsjellës dhe fishkëllima në sallën e Kuvendit, kur është tentuar të trajtohet çështje e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi apo çështje tjera që nuk janë mbështetur nga tabori opozitar.

Komisioni për matjen e territorit të Republikës së Kosovës me anë të një komunikate për media ka deklaruar se është duke punuar intensivisht në kuadër të ndarjes së punës.

“Në punën e Komisionit mungojnë vetëm ata që nga fillimi nuk iu kanë përgjigjur ftesës së Qeverisë dhe të Kryeministrit (partitë opozitare dhe dy kryetarë të komunave). Komisioni i fton edhe ato subjekte që përmes përfaqësuesve të tyre t’i bashkohen diskutimit konstruktiv për të dhënë kontributin e tyre në të mirë të vërtetës dhe të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë, duke thënë se në komision “nuk ka asnjë përçarje”.

Matja e territorit është iniciuar si kërkesë nga ana e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, pas akuzave të opozitës por edhe disa deputetëve në pushtet, se me Marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë territor.

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, kanë deklaruar se kjo matje nuk do të marrë shumë kohë dhe se me anë të këtij procesi do t’i jepet një përgjigje profesionale dhe shkencore pyetjes se a ka humbur apo jo territor shteti i Kosovës me marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Të ngjashme