Thaçi dhe Pacolli takojnë sekretarin e Organizatës për Bashkëpunim Islamik

New York | 20 Sht 2017 | 21:26 | Nga

Presidenti Hashim Thaçi dhe zv.kryeministri i Parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, në kuadër të takimeve të Asamblesë së Përgjithshme në New York, kanë takuar sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI), Yousef bin Ahmad Al-Othaimeen.

Thaçi e ka përgëzuar Al-Othaimeenin për marrjen ​e postit të Sekretarit të Përgjithshëm të OBI-t, një organizatë kjo që e ka përkrahur Kosovën fuqishëm, thuhet në një komunikatë të Zyrës së Presidentit.

“E falënderova Dr. Al—Othaimeen për mbështetjen e rëndësishme të OBI-t për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Nga 57 shtete të kësaj organizate, 30 prej tyre e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi shtoi se mbështetja e Sekretarit të OBI-t dhe të shteteve anëtare të saj për rritjen e njohjeve të Kosovës është e një rëndësie të posaçme për afirmimin e shtetit në arenën ndërkombëtare.

Edhe Pacolli, në një postim në Facebook, ka shkruar se e falënderuan Al-Othaimeenin për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme që kjo organizatë dhe shtete anëtare të saj i kanë dhënë dhe po i japin Republikës së Kosovës për “konsolidimin e shtetësisë dhe integrimin e plotë të vendit tonë në bashkësinë ndërkombëtare”.

“Shprehëm zotimet dhe përkushtimet tona për rritjen e përpjekjeve dhe angazhimeve të përbashkëta diplomatike për rritjen e numrit të njohjeve”, ka theksuar Pacolli.

Të ngjashme