Thaçi: Do ta kemi ushtrinë, por edhe miqtë

Prishtinë | 16 Mar 2017 | 12:13 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë debatit të hapur me përfaqësuesit e mediave serbe dhe shoqërinë civile, ka folur fillimisht për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

Presidenti Thaçi ka prezantuar edhe njëherë aty argumentet në mbështetje të transformimit të FSK-në në ushtri të Kosovës, duke thënë se kjo iniciativë e domosdoshme ligjore është ndërmarrë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Thaçi ka thënë se Projektligji për Ushtrinë, ka unifikuar spektrin politik të Kosovës.

Ai ka shtuar po ashtu se Ushtria e Kosovës do të bëhet në partneritet të plotë me faktorin ndërkombëtar, njofton Klan Kosova.

“Transformimin do ta bëjë duke ruajtur partneritetin me miqtë tanë. Pra do të kemi edhe ushtri edhe partnerët. NATO dhe partnerët tanë duhet ta ndihmojnë Kosovën në këtë proces”, ka thënë Thaçi në debatin e hapur me mediat serbe dhe shoqërinë civile.

“Tani janë krijuar kushtet që FSK të lëvizë tutje në rritjen e saj. FSK është e gatshme për transformim. Transformimi është i nevojshëm edhe me rrethanat e krijuara në rajon. Kërcënimet janë kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon. Andaj e jona është të ndërmarrim hapa në avancimin e FSK-së që të mbrohemi nga kërcënimet eventuale dhe Kosova”, ka shtuar ai më tej.

Ai ka thënë se është i sigurt se gjithë protagonistët politikë të përfshirë në këtë proces do të jenë në krye të detyrës.

“Në fund ju takon deputetëve që të marrin vendimin për FSK-në respektivisht Ushtrinë e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Serbët në Kosovë s’janë kundër Ushtrisë, kundër është Serbia

Përfaqësuesit politik të komunitetit serb ka thënë ai nuk kanë qenë të gatshëm ta përkrahin transformimin e FSK-së. Ai më tej ka thënë se për çështje të interesit strategjik si ushtria,  Kosova nuk mund të pranojë të konsultohet me Serbinë.

“Komuniteti serb nuk është kundër transformimit të FSK-së. Serbia është kundër. Serbia ende kundërshton në çdo formë shtetin e Kosovës dhe pengon konsolidimin e shtetit të Kosovës, madje edhe kur kjo është në interes të serbëve të Kosovës, pra duke dëmtuar edhe vetë komunitetin serb në Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Anëtarët e Listës Serbe kanë treguar disa herë se janë të penguar që ta përkrahin këtë proces”.

“FSK do të jetë ushtria jonë e përbashkët. Serbia ndaj Kosovës ruan politikat që kanë shkaktuar luftë, është burim i nacionalizmit në Ballkanin Perëndimor. Serbia vazhdon të pengojë Kosovën në çdo hap. Rritja e misionit të FSK-së nuk është kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon, aq më tepër për ndonjë qytetar të saj”, tha ai.

Thaçi ka theksuar se FSK-ja në praktikë është Ushtri e Kosovës, sepse është e armatosur. “Duhet ta nisim edhe procesin që kjo të jetë ushtri de jure, si hap për anëtarësimin në NATO”.

Presidenti u ka bërë thirrje përfaqësuesve politikë të qytetarëve serbë të Kosovës që të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës, sepse, siç ka thënë ai, interesat e qytetarëve që u kanë dhënë votën më së miri mbrohen duke marrë pjesë në punën e institucioneve, jo duke i bojkotuar ato.

“Ndoshta është interes i Serbisë që t’i mbajë jashtë institucioneve të Kosovës përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, por kjo definitivisht nuk është në interes të vetë qytetarëve serbë në Kosovë. Na presin vendime të rëndësishme për të gjithë ne, jo vetëm ky për FSK-në, por edhe vendime tjera strategjike, si ai për Asociacionin, Demarkacionin dhe të tjerë”, ka shtuar presidenti Thaçi.

 

 

 

Të ngjashme