Thaçi: FSK-ja, forcë në shërbim të gjithë qytetarëve të Kosovës

Prishtinë | 13 Nën 2017 | 13:35 | Nga

Presidenti, Hashim Thaçi, mori pjesë sot në ceremoninë e gradimit të pesë pjesëtarëve të komuniteteve jo shumicë në Batalionin e Parë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi fillimisht uroi për këtë hap tjetër të madh të FSK-së, drejt ndërtimit të një force profesionale, gjithëpërfshirëse, ku sipas tij gjejnë vend të gjitha komunitetet e Kosovës dhe që është në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Sot shënojmë gradimin e pesë pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Të gjithë vijnë nga komunitetet jo shumicë, duke e shtuar kështu prezencën e tyre në FSK, dhe duke kontribuar në realizimin e aspiratës që kemi për forcën tonë të sigurisë”, theksoi presidenti Thaçi.

Ai tha se kanë kaluar trajnimet dhe testet e parapara këta pesë pjesëtarë të FSK-së nga sot do të mbajnë gradën e nënoficerit të FKS-së, e që sipas tij.

”Trajnimet dhe testet nëpër të cilat kalon çdo pjesëtar i FSK-së janë të përgatitura nga NATO, sipas standardeve të NATO-s. Me këtë synohet profesionalizmi i FSK-së i nivelit të NATO-s”, vijoi presidenti Thaçi.

Duke qenë se pjesëtarët që gradohen sot vijnë nga komunitetet jo shumicë në Kosovë, kreu i shtetit tha se me këtë realizojmë aspiratën tonë për një forcë multietnike, gjithëpërfshirëse.

“FSK-ja me këtë e tregon edhe një herë se është shtëpi e të gjithëve. Me angazhimin e vet gjatë tërë këtyre viteve, FSK-ja tregon se është forcë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, në çdo kënd të Kosovës”, pohoi presidenti Thaçi.

Ai më tej tha se FSK-ja ka ngritur nivelin e profesionalizmit dhe përgatitjes në shkallën më të lartë.

“Ka kryer me përgjegjësi, me profesionalizëm, me paanshmëri, çdo detyrë që i është dhënë deri tani. FSK-ja është bërë forcë që gëzon besim nga të gjithë qytetarët”, duke shtuar më tej se “Është bërë institucion që kontribuon për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, për jetë të qetë dhe të sigurte të të gjithë qytetarëve”.

I pari i vendit tha se duke parë këto të arritura të FSK-së, jemi të bindur se kjo forcë është e gatshme të marrë përgjegjësi të reja, detyra të reja, dhe të kontribuojë për paqen e sigurinë përtej Kosovës.

“Si Kosovë synojmë që nga një konsumues i resurseve të sigurisë të NATO-s, të kthehemi në kontribuues për sigurinë në rajon e më gjerë, që së bashku me NATO-n të punojmë për paqen në botë. Jemi duke bashkëpunuar ngushtë me NATO-n dhe partnerët tonë që të realizojmë këtë transformim dhe këtë aspiratë. Jemi mirënjohës për përkrahjen që na është dhënë dhe për besimin që na është treguar”, shtoi ai.

Kreu i shtetit tha se “Ambasadorët e Këshillit Veri Atlantik, gjatë vizitës së tyre këtë muaj, në Kosovë, dëgjuan për të arriturat e FSK-së”, duke shtuar më tej se jemi mirënjohës për vizitën dhe për konfirmimin e bashkëpunimit që kemi marrë nga ambasadorët.

Në fund, Presidenti Thaçi tha se pjesëtarëve të FSK-së që gradohen sot, ju uroj suksese në karrierën e tyre.

“Jeni shembull për komunitetin tuaj, por jeni shembull edhe për të gjithë Kosovën. Shtetin tonë e ndërtojmë me punë, me angazhim, me profesionalizëm, me bashkëpunim në mes të gjithë neve”, theksoi presidenti Thaçi.

Ndërsa ministri i FSK-së, z. Rrustem Berisha, në fjalën e tij, tha: “Ceremonia e sotme më gëzon shumë sepse dëshmon se FSK-ja është bërë forcë e besueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, forcë shumetnike, e hapur për të gjithë dhe në shërbim të të gjithëve”.

Ndërsa duke ju drejtuar pjesëtarëve të graduar, ministri Berisha, shtoi se: “Kjo dëshmon se ju si qytetar të shtetit të Kosovës, keni bërë zgjedhjen e duhur kur jeni përcaktuar për të shërbyer në FSK, si strukturë e gjithë qytetarëve pa dallime etnike, race apo gjinie“. Më tej ministri Berisha tha: “Ne jemi përkushtuar për integrimin e qëndrueshëm të komuniteteve në FSK dhe në këtë drejtim jemi duke i shtyrë përpara objektivat tona jo vetëm për integrim, por edhe në avancimin me grada edhe me rangje në strukturën e FSK-së. Këtë po e dëshmojnë edhe qytetarët tanë me vlerësimet e tyre se jemi ndër institucionet më të besueshme në vendin tonë”.

Në fund ministri Berisha duke iu uruar sukses pjesëtarëve të graduar, përfundoi “Do të punojmë në avancimin e shkollave dhe trajnimeve për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë, që të arrijnë standardet e parapara në ngritjen profesionale, duke ju mundësuar aftësimin e tyre për marrjen e përgjegjësive më të mëdha që çojnë edhe në avancime dhe gradime të reja”

Nënoficerët të cilët u graduan janë: Marjan Paunovic, Lubisha Demic, Milosh Periç, Gyner Xhymshiti dhe Xhezair Hasani.

Të gjithë pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë të graduar, thanë se ndihen të lumtur që shërbejnë në FSK-së, kurse gradimin e pranuan si privilegj, me çka në të ardhmen do të kontribuojnë më shumë për të dëshmuar besimin ndaj eprorëve të tyre. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme