Thaçi iu bën thirrje politikanëve të bashkohen për interesin shtetëror

Prishtinë | 22 Dhj 2017 | 14:00 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

(E plotësuar) Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përfunduar fjalimin e tij vjetor në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar unitet politik e institucional. Ai ka thënë se qytetarët e Republikës së Kosovës kanë treguar qartë se duan të shohin liderët e tyre të zgjedhur politikë të bashkuar në të gjitha çështjet e interesit nacional dhe shtetëror.

“Prandaj është detyra e imja, detyra e juaja si deputetë, detyrë e të gjithë neve, që të punojmë pa u ndaluar për të mirën tonë të përgjithshme”, ka thënë ai.

Si President i Republikës së Kosovës, Thaçi ka thënë se do ta përcjellë me vëmendje punën e institucioneve shtetërore në përmbushjen e aspiratave dhe synimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Uroj që të na prijë e mbara në realizimin e qëllimeve tona të mira në shërbim të qytetarëve dhe shtetit tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në fund, pasi jemi në prag të festave të fund-vitit, ai u ka uruar edhe paqe, shëndet e lumturi, deputetëve dhe çdo qytetari të Republikës së Kosovës.

Presidenti ua tregon deputetëve “peshën” ndërkombëtare

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se një kohë të konsiderueshme të punës së tij ia ka kushtuar edhe përpjekjeve për konsolidimit të shtetit të Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Vitin 2017 e fillova me vizitë në SHBA dhe takim me Zëvendëspresidentin e atëhershëm Biden, ndërsa e vazhdova me vizitën tjetër në SHBA në shtator, duke takuar Zëvendëspresidentin e tashëm Pence.

“Këto dy vizita kanë konfirmuar edhe një herë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin partner i Republikës së Kosovës, dhe se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Kosovë dhe në rajon. Por, pjesë e këtij partneriteti është edhe përgjegjësia jonë që të sillemi si shoqëri dhe si shtet i pjekur politikisht, i gatshëm të luajë rol konstruktiv në rajon dhe më gjerë, duke ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit”, ka thënë ai.

Kreu i shtetit ka thënë se gjatë këtij viti ka realizuar vizita bilaterale dhe ka marrë pjesë në forume dhe konferenca të ndryshme.

“Me ketë rast, dua të veçoj edhe vizitat bilaterale në Kanada, Kroaci e Turqi. Kam takuar Presidentin e Bullgarisë në Sofje, Presidentin e Austrisë në Vjenë dhe Mbretin Abdullah në Aman. Jam nderuar me audiencë tek Ati i Shenjtë, Papa Françesku. Kam përfaqësuar Kosovën në Konferencën e Sigurisë në Mynhen të Gjermanisë, në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Jordani, në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Halifax, në Forumin e Kroacisë dhe në Samitin Bërdo-Brione dhe të tjera”, ka thënë ai.

Në këto forume, ndër të tjera me krenari ka thënë se e ka prezantuar transformimin e Kosovës nga një konsumues i mekanizmave të paqes e sigurisë, në një promovues dhe kontribuues të paqes dhe bashkëjetesës në mes të popujve.

“Kjo ka forcuar bindjen në botë se pavarësia e Kosovës ka sjellë paqe të qëndrueshme në tërë Evropën Juglindore”, ka thënë ai.

Porosia e Thaçit: Mos e mbani peng vendin! (LIVE)

Në vazhdim të fjalimit të tij vjetor para deputetëve, presidenti Thaçi ka thënë se kredibiliteti ynë shtetëror në arenën ndërkombëtare dhe shpejtësia me të cilën i afrohemi anëtarësimit në BE dhe NATO, varet kryesisht nga serioziteti ynë në përmbushjen e obligimeve tona shtetërore.

“Në këtë aspekt, ne nuk mundemi që në vazhdimësi të drejtojmë gishtin nga BE-ja, NATO-ja apo bashkësia ndërkombëtare duke kërkuar që t’i mbajmë ata fajtorë të vetëm për ngecjet tona. Ne duhet t’i pranojmë gabimet dhe t’i përmirësojmë ato sa më shpejt që mundemi, sepse vetëm kështu mund ta zëmë hapin me shtetet fqinjë në procesin e integrimeve euroatlantike. Prandaj, duhet ta ratifikojmë pa humbur kohë marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Ratifikimi i kësaj marrëveshje i jep fund izolimit të padrejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Presidenti ka thënë duhet që pa humbur kohë të themelojmë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse BE-ja dhe shumë shtete tjera partnere janë të zhgënjyera me paaftësinë tonë për të zbatuar zotimet e marra përsipër.

“Sa më shpejt përmbushim detyrat tona, aq më shpejt do të mund të bëjmë hapa seriozë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO. Si President i Republikës së Kosovës i kam bërë thirrje vazhdimisht BE-së për veprime jo vetëm teknike, por mbi të gjitha strategjike për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Me vjen mirë që tani së fundi edhe Bashkimi Evropian e thotë qartë se mënyra më e mirë për të siguruar paqen afatgjate në rajonin tonë, është anëtarësimi i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE”, ka thënë ai.

Presidenti ka thënë se vazhdon të besojë se mënyra më e mirë është që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE në të njëjtën kohë, pavarësisht faktit se disa shtete kanë bërë progres më të madh në përmbushjen e kritereve për anëtarësim.

Thaçi bën thirrje për unitet politik rreth dialogut: Sa herë jemi bashkuar, Kosova ka fituar

Presidenti Thaçi ka thënë se e kaluara e jonë është e dhimbshme dhe kujtimet për vuajtjet tona ende mbeten të freskëta.

Por, e kaluara e jonë, sipas presidentit Thaçi, është edhe ajo që na bën krenarë dhe na jep forcë për të shikuar me këmbëngulje nga e ardhmja.

“Për këtë qëllim, me përkushtim kam vazhduar punën për themelimin e Komisionit për të Vërteten dhe Pajtimin, që synon të ndihmojë përpjekjet e shoqërisë sonë për mbylljen e kapitullit të luftës, të armiqësive dhe arritjen e pajtimit të ndërsjellë. Prandaj jam i lumtur që pas një pune të madhe, kemi arritur të themelojmë ekipin përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin. Jam i sigurt se puna e këtij komisioni do të japë rezultate konkrete gjatë vitit 2018 dhe më këtë rast, dua të falënderoj organizatat e familjeve të të pagjeturve, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre”, ka thënë ai.

Kreu i shtetit ka thënë se dialogu mbetet mekanizmi i vetëm dhe i pazëvendësueshëm për zgjidhjen e problemeve brenda shtetit tonë, por edhe me shtetet tona fqinje.

“Në kuadër të angazhimit tim për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në tërë Evropën Juglindore, është edhe përkushtimi ynë i përbashkët në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Tani jemi gati për të vazhduar fazën përfundimtare të këtij procesi, i cili do të vazhdojë të ndërmjetësohet nga BE-ja dhe të përkrahet fuqishëm nga SHBA-ja”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se sigurisht që kjo fazë përmbyllëse nuk do të jetë aspak e lehtë.

“Për ketë qëllim, kam filluar konsultat formale dhe jo formale me partitë politike dhe shoqërinë civile, me qëllim që të themelojmë një Grup të Unitetit për të siguruar gjithëpërfshirje në këtë proces. Unë edhe sot, iu bëj thirrje publike që të jemi të bashkuar në këtë proces dhe në çdo proces tjetër që është me interes shtetëror”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se sa herë janë bashkuar të gjithë, Kosova ka fituar dhe qytetarët i kanë mbështetur.

“Kështu duhet të jetë përsëri, sepse e ardhmja e jonë, integrimi i shtetit tonë në strukturat veri-atlantike, varet në masë të theksuar nga ky proces. Në çdo rrethanë, unë ju siguroj juve të nderuar deputetë dhe qytetarë të Republikës së Kosovës, se procesi i dialogut do të jetë transparent dhe se çdo marrëveshje e arritur, do të ratifikohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti: Ushtrinë do ta kemi në vitin 2018

Presidenti Thaçi para deputetëve ka folur edhe për proceset zgjedhore që ishin këtë vit.

Ai ka thënë se viti 2017 ishte vit i të arriturave përkundër shumë sfidave.

“Kemi kaluar dy palë zgjedhje, ato të përgjithshmet në qershor dhe ato për kuvende komunale e kryetarë komunash në tetor. Këto dy procese elektorale kanë dëshmuar edhe një herë pjekurinë e politikës dhe shoqërisë kosovare në përgjithësi. Kjo i ka hapur rrugë formimit të qeverisë së re, kuvendeve të reja komunale dhe zgjedhjes së kryetarëve të rinj të komunave të Kosovës”, ka thënë ai.

Presidenti ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kryetarët e zgjedhur të komunave, tani duhet të punojnë me përkushtim për realizimin e prioriteteve të përcaktuara dhe ta përmirësojnë jetën e qytetarëve.

“Kur jemi tek zgjedhjet e lira, me lejoni të theksoj se unë nuk kam hequr dorë nga puna ime që të punojmë bashkërisht me partitë politike për të përfunduar me sukses procesin e reformës zgjedhore. Unë konsideroj se pjesa më e madhe e punës në këtë drejtim ka përfunduar dhe gjatë vitit në vijim, ne duhet ta përfundojmë këtë proces. Përkundër faktit se zgjedhjet qendrore dhe lokale kanë konsumuar shumë kohë dhe energji, prapëseprapë, si president në koordinim me institucionet tjera, kam vazhduar punën në realizimin e prioriteteve të rëndësisë shtetërore”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndër prioritet kryesore në këtë aspekt, ai ka thënë se ishte edhe vazhdimi i punës për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Ky është një proces shtetëror i natyrshëm dhe i domosdoshëm, i cili vjen edhe si rezultat i punës së pjesëtarëve të FSK-së të cilët e kanë ngritur nivelin e përgatitjes dhe tani janë të gatshëm për detyra e kompetenca të reja. Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë shumetnike në të cilën mbi 10 për qind e pjesëtarëve të saj vijnë nga komunitetet joshumicë”, ka thënë ai.

Forcat e Armatosura të Kosovës, presidenti ka thënë se do ta ruajnë dhe fuqizojnë karakterin shumetnik.

“Tani jemi pothuajse në fazën përfundimtare të përpjekjeve tona për të siguruar përkrahjen që procesi i themelimit të FAK-ut të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Këtë jemi duke e bërë dhe do ta bëjmë në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerët tjerë strategjikë. Unë sot ju siguroj se Kosova gjatë vitit 2018 do të ketë kapacitet e veta mbrojtëse, pra një ushtri moderne që do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kudo në botë”, ka pohuar presidenti Thaçi.

Duke folur për sigurinë e Kosovës, presidenti ka thënë se ndjehet krenar që shteti ynë është lider në rajon në luftimin e ekstremizmit, radikalizmit dhe terrorizmit.

“Ky përkushtim i jonë ka marrë mirënjohje nga të gjithë liderët e botës së lirë e demokratike.
E shfrytëzoj këtë rast që të falënderoj të gjithë mekanizmat e sigurisë kombëtare që kanë kontribuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë në Kosovë, por edhe në rajon”, ka thënë ai.

Presidenti: Në çdo cep të shtetit e kemi shtrirë rendin kushtetues e ligjor

Presidenti Thaçi ka thënë se të gjithë jemi të vetëdijshëm se bazamenti i kryesor i çdo shteti demokratik, duke përfshirë shtetin tonë, është sundimi i rendit dhe ligjit.

“Asnjë fushë e shoqërisë sonë, nuk mund të jetë funksionale në rast se ne nuk e fuqizojmë sundimin e rendit dhe ligjit, dhe në rast se ne dështojmë të garantojmë se të gjithë janë të barabartë para ligjit”, ka thënë ai.

Me dekretimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve nga komunitetet joshumicë, shumica nga të cilët punojnë në pjesën veriore të Kosovës, presidenti Thaçi ka thënë se është shtrirë rendi kushtetues e ligjor i Kosovës në çdo cep të shtetit tonë.

“Për këtë qëllim, kam punuar me të gjitha institucionet e drejtësisë që të vazhdojmë reformën dhe konsolidimin e gjyqësorit për të garantuar që jo vetëm të kemi ligje të shkruara mirë, por edhe implementim të plotë të këtyre ligjeve”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit janë dhe duhet të mbeten prioritete.

“Kosova nuk do të dorëzohet në përballje me këto sfida dhe nuk do të lejojmë që vendi ynë të perceptohet si i korruptuar. Heronjtë e sotëm janë ata që rreshtohen në luftë të pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti: Kosova i mbron liritë dhe të drejtat e çdo qytetari

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot po e mban fjalimin vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ai ka folur për të arriturat e Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës dhe për punën e përbashkët në forcimin e shtetësisë së Kosovës.

“Sigurisht, prioritet i ynë i përbashkët mbetet gjithmonë angazhimi për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Në kuadër të këtyre përpjekjeve, jam angazhuar për respektim dhe fuqizim të të drejtave të njeriut për secilin qytetar të Republikës së Kosovës. Duke filluar nga diskutimet për nevojën për përfaqësim të barabartë të gruas në të gjitha institucionet e deri te Parada e Nderit, ku e kam bërë të qartë se shteti i Kosovës, shoqëria kosovare, janë ndërtuar mbi parimet e lirisë dhe barazisë për secilin qytetar”, ka thënë ai.

I pari i shtetit ka thënë se Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe të gjithë duhet t’i gëzojnë të drejtat e barabarta në përpjekje për të realizuar aspiratat e tyre.

Kjo, sipas presidentit Thaçi, nënkupton që ne duhet të sigurojmë prosperitet dhe dinjitet për secilin qytetar, qoftë për punëtorin, për pensionistin, mjekun, policin, ushtarin, për mësuesin, studentin apo nxënësin në shkollë.

“Ne e dimë se për ta rritur mirëqenien e qytetarëve tanë, ne duhet ta zhvillojmë ekonominë tonë dhe ta rrisim prodhimtarinë vendore. Në shërbim të këtij qëllimi, jam angazhuar në mënyrë aktive në promovimin e ekonomisë kosovare, të prodhimeve kosovare, në përfshirjen sa më të madhe të diasporës në investimet në Kosovë”, ka thënë ai.

Me konsolidimit e shtetit tonë, presidenti ka thënë se përkrahja e zhvillimit ekonomik të vendit ka filluar të marrë vend qendror në angazhimin e tij si, por edhe të institucioneve tjera të shtetit të Kosovës.

“Në koordinim me institucionet relevante, e kam përkrahur nënshkrimin e kontratës për projektin për Kosovën e Re, që sjell investimin më të madh privat në historinë e Kosovës, me 1,3 miliardë euro investime e që do të hap mbi 10 mijë vende pune. Përveç kësaj, unë vazhdoj të besoj se përmirësimi i infrastrukturës rrugore është kusht i domosdoshëm për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se ka përkrahur përfundimin e projekteve për autostrada që do të lidhin Kosovën me rajonin e më gjerë, duke u mundësuar lëvizje më të lirë njerëzve dhe mallrave.

Presidenti Thaçi ka thënë se sot ishte kënaqësi edhe inaugurimi i segmentit të dytë të autostradës “Arbën Xhaferi”.

Të ngjashme