Thaçi kërkon konsensus për Ushtrinë

Prishtinë | 07 Pri 2017 | 15:20 | Nga

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në konferencën “Forca e Sigurisë së Kosovës – Perspektivat e së Ardhmes”, e cila është organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit.

Në këtë konferencë, presidenti Thaçi theksoi se iniciativa për transformimin e FSK-së është veprim i menduar mirë, kurse dërgimi i projektligjit në Kuvend është rezultat i paaftësisë së institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë, që gjatë tri vjetëve të kaluara të themelojmë Forcat e Armatosura të Kosovës.

Presidenti ka thënë se përfaqësuesit e Listës Serbe për gjashtë muaj me radhë bojkotuan Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, duke e bërë të pamundur që institucionet të sigurojnë përkrahjen dhe përfshirjen e tyre në ketë proces jetik.

Që nga ndërmarrja e iniciativës ligjore e deri me sot, presidenti Thaçi theksoi se ka pasur dy zhvillime të rëndësishme, të cilat ofrojnë një perspektivë pozitive për përfundimin me sukses të themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Zhvillimi i parë pozitiv është fundi i bojkotit dhe rikthimi i Listës Serbe në institucionet shtetërore, ndërsa zhvillimi i dytë është gatishmëria e partnerëve tanë strategjikë ndërkombëtarë që të përfshihen në mënyrë aktive për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Duke folur në një panel me ambasadorin amerikan, Greg Delawie, ambasadorin francez, Didier Chabert, zëvendëskryeministrin e Kosovës, Branimir Stojanoviq dhe profesorin amerikan Daniel Server, presidenti Thaçi ka thënë se me gjithë qasjet e ndryshme ka një konsensus për transformimin e FSK-së përmes ndryshimeve kushtetuese.

“Unë si President dhe si Komandant i Përgjithshëm i FSK-së e kam për obligim që së bashku me të gjitha institucionet e tjera të Kosovës, ta themelojmë ushtrinë e Kosovës, por edhe ta ruajmë dhe forcojmë me tutje bashkëpunimin me partnerët tanë strategjikë’, ka thënë Thaçi, duke shtuar se ky qëllim është krejtësisht i arritshëm, meqë të gjithë partnerët strategjikë pajtohen se Kosova duhet të themelojë ushtrinë.

Dallimi i vetëm deri më sot, sipas presidentit Thaçi, ka qëndruar në qasjen që duhet ndjekur për arritjen e këtij qëllimi të përbashkët.

Presidenti ka thënë se duke marrë parasysh dy zhvillimet e fundit të rëndësishme, institucionet e Kosovës janë plotësisht të gatshme që së bashku me partnerët strategjikë të rifillojnë edhe një përpjekje të fundit serioze për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

“Në shërbim të arritjes së këtij qëllimi të përbashkët dhe duke marrë në konsideratë zhvillimet e fundit në vend, unë sot i kam dërguar një letër zyrtare kryetarit dhe anëtarëve të kryesisë së Kuvendit të Kosovës, nëpërmjet të cilës kam kërkuar që iniciativa ime ligjore për ndryshimin e mandatit dhe rolit të FSK të mos vihet në rënd të ditës për diskutim, përderisa institucionet tona dhe partnerët tanë strategjikë nuk përfundojnë edhe këtë përpjekje të fundit, për të siguruar mbështetjen e të gjitha komuniteteve që transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese”, ka theksuar Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se dëshiron që themelimi i ushtrisë të jetë një moment i bashkimit të qytetarëve të Kosovës, partive politike dhe shoqërisë civile.

“Ne duam që edhe komuniteti serb që jeton në Kosovë të jetë pjesë e këtij procesi dhe të jap mbështetjen e vet nëpërmjet përfaqësuesve të vet politikë, njësoj sikur të gjitha komunitetet tjera”, ka shtuar Thaçi.

Presidenti Thaçi bëri thirrje që ky proces të mos keqpërdoret dhe keqinterpretohet nga askush, sepse gjithçka është në funksion të arritjes së qëllimit tonë të përbashkët.

“Unë përsëri ritheksoj se dua dhe jam duke punuar intensivisht që një qëllim i tillë jetik të përmbyllet me sukses me mbështetjen e të gjitha komuniteteve të Kosovës dhe të ndodh nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Në rast të kundërt, e kam bërë të qartë që askush nuk do të mund të përdorë veto ose pengoj në çfarëdo forme themelimin e ushtrisë së Kosovës dhe kjo tashmë është e qartë”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Në fund, presidenti ka theksuar se është esenciale që përfaqësuesit politikë të komunitetit serb të mos mendojnë qoftë edhe për një çast të vetëm se institucionet e Kosovës po heqin dorë nga themelimi i Forcave të Armatosura, sepse ky do të ishte një gabim i madh i tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme