Thaçi: Kush ka ftesë le të shkojë te Trumpi

Prishtinë | 13 Jan 2017 | 18:03 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se kushdo që ka mundësi të shkojë në inaugurimin e Presidentit Donald Trump, do të ishte mirë që të shkojë, derisa ka treguar se ai vetë nuk do të jetë i pranishëm.

“Për pjesëmarrje në këtë inaugurim kush ka ftesë, do të ishte në interes që të jetë prezent atje. Është e shëndetshme për politikën kosovare, që të jetë atje. U bëj thirrje politikanëve kosovarë, që kushdo që ka siguruar ftesë, të shkojë atje. Do të doja shumë që liderët politikë të ndërtojnë frymën e shëndoshë të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Thaçi në një intervistë ekskluzive në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Çdo lider që shkon në Washington kthehet më me energji për t’i kontribuuar vendit të vet. Asnjë lider i vendeve të rajonit s’do të jetë prezent në inaugurimin e presidentit Trump. Unë nuk do të marr pjesë në inaugurimin e presidentit. Kosova atje do të përfaqësohet nga ambasadorja jonë në SHBA”.

Thaçi, duke folur për angazhimin e tij në nivelin diplomatik, ka thënë se ka udhëtuar më shumë se homologët e tij në rajon, porse ai ka rikujtuar se më s’është kryeministër, ndaj medomes angazhimin e ka më të vogël.

“Mund t’i krahasoni angazhimet e mia me të liderëve të tjerë të rajonit, dhe të shihni se kam pasur më së shumti vizita jashtë vendit”.

“Jemi sistem parlamentar dhe mos e kërkoni dinamikën time sikur të isha kryeministër. Duhet të më zhvishni nga roli kryeministror”.

“Jam president i vendit dhe luaj rolin tim kushtetues në bazë të kompetencave dhe rolit që kam. Mendoj se Kosova ka qenë e përfaqësuar dinjitetshëm në hapësirat, takimet, forumet dhe vendet më të rëndësishme botërore”, ka thënë Thaçi në Info Magazine të Klan Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme