Thaçi: Liberalizimi i vizave është proces i pandalshëm

Prishtinë | 19 Kor 2018 | 12:32 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur një konferencë për media, një ditë pas takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Thaçi tha se lajmi për liberalizimin e vizave nuk është dhuratë për kosovarët, por është meritë e të gjithë njerëzve, raporton Ekonomia Online.

“Dje ka qenë ditë e madhe historike, madhështore për shtetin tonë. Me plot meritë, Kosova, qytetarët, shoqëria civile dje kanë marrë lajmin meritor, edhe pse i vonuar vendimi. Për liberalizimin, Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe reformat. Kjo nuk është dhuratë, është meritë e të gjithë njerëzve. Mirënjohje për çdo njeri që është angazhuar në këtë drejtim”.

Thaçi tha se liberalizimi është proces i pandalshëm, raporton EO.

“Edhe sot takova të gjithë përfaqësuesit e sistemit të Drejtësisë, ministrin e Drejtësisë, të Brendshëm, autoritetet prokuroriale për të përgëzuar dhe të kërkuar vazhdimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Liberalizimi i vizave është proces i pandalshëm”.

Presidenti theksoi përsëri se kanë mbetur vetëm edhe pak muaj deri në jetësimin e liberalizimit.

“Na mbetet neve si institucione, si parti politike, t’i kontribuojmë përshpejtimit të këtij procesi. Ky proces është në të mirën e të gjithëve, pa dallim partie dhe etnie. Deri në jetësimin e liberalizimit kanë mbetur pak muaj, studentët dhe të tjerët mund të lëvizin lirshëm. Me nxjerrjen e vendimit dje është një përgjegjësi shtesë për institucionet, sepse aq sa është vlerësim pozitiv është përgjegjësi që me këtë proces të mos lejohet askush të abuzojë. Jam i bindur se nga përvoja dhe këshillat e partnerëve ndërkombëtarë, Kosova do të kalojë pa problem këta muaj”, shtoi Thaçi.

Të ngjashme