Thaçi: Në bisedime do të përfshihen të gjitha partitë politike

Prishtinë | 14 Sht 2017 | 18:34 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka paralajmëruar formimin e “Ekipit të Unitetit” të Kosovës që do të marrë pjesë në bisedimet me Serbinë.

“Grupi i Unitetit do të përbëhet nga Presidenca, Qeveria, Kuvendi ku do të jenë të përfaqësuara të gjitha partitë politike, por do të ketë përfaqësues edhe nga shoqëria civile, mediet, Akademia dhe kushdo që mund të kontribuojë në këtë proces politikë”, ka deklaruar Thaçi.

Kreu i shtetit i bëri komentet në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik të Kosovës (KDI) me temën “E ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi”. Në diskutim po marrin pjesë dhe përfaqësues të partive politike, medieve, shoqërisë civile etj

Por, bartëse të dialogut do të jenë institucionet e Kosovës, ka saktësuar Thaçi. “Në fund të këtij procesi do të kemi një kualitet të ri të marrëdhënieve me Serinë”.

Presidenti përsëriti se dialogu me Serbinë nuk ka alternativë, si e vetmja rrugë drejt ndërtimit të një paqeje të qëndrueshme.

“Duhet të bëjmë marrëveshje për t’i ikur konfliktit dhe për të ndërtuar paqe të qëndrueshme me Serbinë si fqinj. Duhet ndërtuar një frymë dialogu dhe bashkëpunimi; për të mbyllur kapitullin e luftës dhe hapur kapitullin e paqes”.

Thaçi përsëriti se ka kërkuar që në këtë proces, në fazën përfundimtare, të përfshihen edhe Shtet e Bashkuara të Amerikës.

Thaçi: Statusi dhe funksioni i Ushtrisë qartësohet deri në fund të vitit

Kreu i shtetit ka thënë se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës duhet të ndodhë shpejt.

“Forcat e Armatosura të Kosovës do të jetë forcë multientike dhe e ndërtuar sipas standardeve dhe brenda vitit do ta kenë zyrtarisht statusin dhe funksionin të qartë”, u shpreh Thaçi.

Ai ka deklaruar se është e rëndësishme që të gjitha institucionet të punojnë fort në këtë proces, në mënyrë që FAK-u të jetë forcë e ndërtuar sipas standardeve.

“Institucionet duhet të përfundojnë të gjitha përgatitjet për përfundimin e transformimit të FSK-së në FAK. Do të punojmë në krijimin e një force ushtarake multietnike sipas standardeve”.

“Sulmet ndaj deputetëve serbë janë racizëm”

Presidenti Thaçi tha se sulmet që bëhen ndaj deputetëve të komunitetit serbë të Kuvendit të Kosovës, janë racizëm.

“Komuniteti serb nuk është rreziku për vendin tonë, është nder i kësaj shoqërie. Sulmet që bëhen ndaj deputetëve të komunitetit serb për mua paraqesin racizëm”.

Kreu i shteti ka komentuar dhe përfshirjen e Listës Serbe në Qeverinë Haradinaj dhe reagimet që po vijnë nga opozita.

“Lista Serbe nuk është pengesë për Kosovën”, u shpreh ai.

Thaçi ftoi shoqërinë civile që të jenë më shumë sqarues për publikun dhe jo të gjallin armiqësi. “A është vonuar Lista Serbe apo jo, nuk është shumë me rëndësi. Edhe në vitin 2014, 24 orë janë vonuar”, ka rikujtuar ai, kohë kur ishte formuar koalicioni PDK-LDK.

Presidenti: Ekziston konsensus nacional për të përmbyllur dialogun Kosovë – Serbi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë sot në tryezën organizuar nga Instituti Demokratik të Kosovës (KDI), me temën “E ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi”.

Në këtë bashkëbisedim me përfaqësuesit e medias dhe shoqërisë civile, presidenti Thaçi fillimisht është përqendruar në themelimin e institucioneve si dhe prioritetet shtetërore.

Ai ka theksuar se ka pasur zgjedhje të drejta, të lira e fer, derisa procesi i krijimit të institucioneve është zhvilluar brenda asaj që konsiderohet praktikë demokratike dhe konstruktive.

Duke folur për prioritet shtetërore, Presidenti ka thënë se Kosova ka marrë mbi vete disa obligime që duhet t’i plotësojë, siç është mbyllja demarkacionit, themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Duhet të përgatitemi bashkërisht dhe të ndërtojmë një konsensus nacional dhe politik për të përmbyllur me sukses fazën përfundimtare të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se institucionet shtetërore duhet të intensifikojnë fushatën ndërgjegjësuese, dhe të përfundojnë të gjitha përgatitjet për përfundimin e procesit të transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

Sipas tij, Qeveria duhet të mbetet e fokusuar në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, rritjen e cilësisë së arsimit dhe përmirësimin e kualitetit të shërbimeve shëndetësore, e shumë e shumë punë të tjera.

Ai ka thënë se lista e punëve dhe prioriteteve është shumë e gjerë dhe do të duhet punë dhe vullnet i të gjithëve për të arritur suksese.
Presidenti Thaçi ka theksuar se është inkurajuese të shihet që Qeveria e re menjëherë ka filluar të merret me këto çështje.

Duke folur për paqen e qëndrueshme, ai ka thënë se ndër prioritetet e institucioneve shtetërore të Kosovës mbetet edhe përfundimi i procesit të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës.

“Ka vazhduar fushata jonë për informimin e të gjitha komuniteteve në Kosovë për nevojën e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, si dhe për përfshirjen sa më të madhe të të gjitha komuniteteve në këtë proces”, ka shtuar ai.

Presidenti ka kërkuar nga Qeveria intensifikimin e fushatës gjithëpërfshirëse dhe punë konkrete në teren për t’iu sqaruar të gjitha komuniteteve këtë proces të rëndësishëm.
Ai është shprehur i bindur se në fund do të sigurohet pajtimi dhe përkrahja e të gjitha komuniteteve për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Do të jetë kjo një forcë multi-etnike, profesionale, e standardeve të NATO-s, që do të kontribuojë për paqen në Kosovë, në rajon dhe në botë”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka folur edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se dialogu mbetet mënyra e vetme për të zgjidhur çfarëdo mosmarrëveshje, për t’i ikur konfliktit dhe për të konfirmuar përkushtimin tonë për paqe të qëndrueshme në shtetin tonë dhe në rajon.

“Në këtë kontekst, kam përkrahur dhe vazhdoj të përkrahi dialogun në mes feve që synon mirëkuptimin dhe tolerancën. Konferenca Inter-Faith Kosova na ka bërë të njohur në tërë botën dhe na ka bërë shembull për promovimin e dialogut dhe të bashkëpunimit në mes të të gjitha feve”, ka shtuar ai.

Presidenti po ashtu ka theksuar se ka iniciuar themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe për Pajtim që do të promovojë dialogun e brendshëm në Kosovë, në mes të të gjitha komuniteteve, për të mbyllur kapitullin e luftës e konfliktit dhe për të hapur kapitullin e paqes.

Ai ka thënë se përkundër sfidave që ka pasur procesi i dialogut, dhe sfidave që mbeten në implementimin e marrëveshjeve të arritura, megjithatë është arritur të ndërtohet besimi në këtë proces.

Presidenti ka theksuar se tani është koha që i tërë procesi të marrë një kualitet tjetër dhe të punojmë për ta përmbyllur me sukses këtë proces.

Sipas tij, kjo është në interes të Kosovës, të rajonit dhe me gjerë, duke shtuar se është inkurajuese që për këtë janë të përcaktuar të gjithë, të gjitha partitë politike.
“Pra, kemi një konsensus të plotë rreth nevojës për dialog. Prandaj unë tashmë e bërë publike iniciativën time për themelimin e Grupit të Unitetit, për të punuar bashkërisht për përmbylljen e këtij procesi”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se Grupi i Unitetit do të përbëhet prej përfaqësuesve të institucioneve shtetërore të Kosovës, pra të Presidencës, të Qeverisë, të Kuvendit ku janë të përfaqësuara të gjitha partitë politike parlamentare.

“Përveç kësaj, një rol të rëndësishëm në kuadër të punës së Grupit të Unitetit do të luajnë edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, akademia, mediat dhe cilido që konsiderohet se mund të jap kontribut në këtë proces”, ka theksuar ai.

Sipas tij, kjo do të garantojë konsensusin politik në dialog, por edhe ekspertizën e nevojshme për dialog .

“Natyrisht, unë kam kërkuar që në fazën përfundimtare të këtij procesi, të kemi edhe përfshirjen direkte të SHBA-së. Dobitë nga kjo paqe e qëndrueshme në Ballkan janë edhe për tërë kontinentin”, ka thënë ai.

Presidenti në fund ka thënë se Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për një të ardhme më të mirë, për shtetin tonë, për qytetarët tonë, por edhe për qytetarët e rajonit.

Nënshkrimi i MSA-së dhe marrëveshja me MCC, sipas tij janë konfirmim se jemi në rrugën e duhur dhe se po ecim me hapa të mëdhenj e të sigurt përpara.

“Me urtinë dhe përkushtimin që kemi dëshmuar me dekada, nuk ka dyshim që do të realizojmë aspiratën tonë që të jemi anëtare e NATO-s dhe e BE-së, por edhe të OKB-së”, ka theksuar Thaçi.

Të ngjashme