Thaçi në konferencën e NATO-s, kritikon izolimin dhe zvarritjen e demarkacionit

Prishtinë | 13 Nën 2017 | 19:43 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në hapje të Konferencës “NATO dhe Ballkani Perëndimor – Dinamikat rajonale në epokën e sfidave të sigurisë globale”, që po mbahet në Prishtinë, ka drejtuar kritika në drejtim të bashkësisë evropiane për izolimin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ai foli dhe për çështjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, për çka kritikoi Qeverinë e Kosovës për zvarritje të këtij procesi.

Në konferencën, ku po marrin pjesë përfaqësues të lartë të NATO-së, të shteteve të rajonit dhe personalitete të tjera të rëndësishme nga Kosova dhe më gjerë, Thaçi tha se për pak muaj, Kosova do festojë ditëlindjen e saj të 10-të të shtetësisë.

“Kosova para dy dekadash, në vitin 1999 ishte shembulli me i mirë i reagimit te Aleancës më të fuqishme në botë, pra NATO-s. Liria e Kosovës ishte vlerë që na bashkoi neve si politikanë dhe qytetarët me vlerën e NATO-s, pikërisht në ditëlindjen e saj të 50-të. Misioni i KFOR-it është misioni më i suksesshëm i paqes në botë”, tha presidenti Thaçi.

“Kosova është shtet stabil dhe i qëndrueshëm, por që përballet me paradokse… Kosova është shteti më i izoluar, qytetarët janë evropianët e fundit që nuk mund të udhëtojnë lirshëm në Evropë”, deklaroi kreu i shtetit.

“Edhe neve na mbetet t’i kryejmë obligimet tona atë të fqinjësisë së mirë, asaj të quajtur demarkacion mes Kosovës dhe Malit të Zi. Kjo çështje i takon politikës dhe instrumenteve kosovare. Mali i Zi do të mbetet partner i fqinjësisë së mirë“.

Marrëveshja e demarkacionit është e qartë e saktë dhe çdo zhagitje është humbje kohe për të ardhmen e vendit tonë”, u shpreh Thaçi.

“Kosova është luftuese e terrorizmit përkundër që jemi anashkaluar dhe nuk jemi integruar në Interpol. Po ashtu nuk jemi në UNESCO, shkaku i Serbisë që e keqpërdorin UNESCO-n për mos-anëtarësim të Kosovës”, vazhdoi presidenti i Kosovës kritikat ndaj izolimit të vendit.

“Kosova është vendi i vetëm që lansoi dialogun historik mes Kosovës dhe Serbisë për paqen dhe të vërteten. Përkundër tragjedisë që na është shkaktuar, ne si Kosovë duam ta mbyllim armiqësinë me Serbinë dhe t’i rregullojmë marrëdhëniet me këtë shtet”.

“Gjatë vitit të ardhshëm duhet të nënshkruajmë marrëveshjen historike me Serbinë për normalizim dhe pajtim”, paralajmëroi Hashim Thaçi.

“Ne nuk mund të ndalemi në rrugëtimin tonë si shtet, pavarësisht problemeve me të cilat po ballafaqohemi. Së shpejti në synojmë transformimin e FSK-së, në partneritet me ShBA-në dhe NATO-n, për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”.

Sekretari i NATO-s: Ushtria duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese

Ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Diplomaci Publike, Tacan Ildem, ka folur rreth transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri. Ai përsëriti qëndrimin e Aleancës Veriatlantike se kjo duhet të bëhet në bazë të ndryshimeve kushtetuese.

“Ju iu referuat pritjeve të qytetarëve dhe transformimit të FSK-së në ushtri. Nëse zgjidhni të merrni atë rrugë kjo duhet të bëhet sipas ndryshimeve kushtetuese, dhe më gëzoi që ju e përmendët këtë”, iu drejtua zyrtari i NATO-s presidentit Thaçi.

Ai foli dhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke theksuar se NATO e mbështet përpjekjen për të rregulluar marrëdhëniet mes shteteve fqinje.

“Është shumë me rëndësi dhe NATO-ja i mbështet përpjekjet për dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës”, u shpreh ai.

Të ngjashme