Thaçi në konferencën e Parisit: Për 10 vjet shtet, Kosova është vend i reformave të vazhdueshme

Prishtinë | 08 Dhj 2017 | 15:06 | Nga

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po merr pjesë në Konferencën e Parisit, që po zhvillohet në kuadër të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Kontinentit të Amerikës, sot para të pranishmëve ka folur për zhvillimin politik dhe ekonomik të Kosovës në kuadër procesit të integrimit në BE.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova si shtet i ri po zhvillohet politikisht dhe ekonomikisht për të përmirësuar standardin e jetesës së qytetarëve, mirëpo me rigorozitet i zbaton edhe politikat e zhvillimit për të përmbushur standardet evropiane në të gjitha fushat, sepse qëllimi ynë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

“Të gjitha politikat qeveritare i kemi zbatuar me standardet e BE-së, gjë që është në përputhje me qëllimin përfundimtar për integrimin tonë euroatlantik. Zhvillimi ynë politik dhe ndërtimi i institucioneve, reforma e administratës publike, reforma gjyqësore dhe forcimi i sundimit të ligjit është modeluar nga afër në përputhje me kriteret e BE-së”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se reformat e vazhdueshme janë të domosdoshme dhe ato bëhen jo vetëm që të jemi në gjendje të anëtarësohemi në BE, edhe pse është fakt se mbi 95 për qind e popullatës është në favor të anëtarësimit në BE.

“Planet tona në politikën ekonomike dhe të reformave strukturore janë konceptuar, dizajnuar dhe zbatuar në përputhje me kriteret e pranimit ekonomik, përkatësisht për të siguruar një ekonomi tregut të lirë, që është në gjendje të përballojë presionet konkurruese të tregut të BE-së”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se tash po punohet drejt krijimit të kushteve ekonomike për të rritur eksportet, për të tërhequr investime të huaja dhe për të integruar bizneset e Kosovës në zinxhirin e vlerave ndërkombëtare.

Presidenti Thaçi ka thënë se sukseset e Kosovës i dëshmon edhe raporti i Bankës Botërore në të bërit biznes, ku Kosova kishte një përmirësim të ndjeshëm në renditje, nga vendi i 60 në atë të 40. Por, sipas tij, ngjashëm me fqinjët tanë, edhe ne kemi probleme me ekonominë joformale dhe për më tepër, Kosova ende sfidohet nga shkalla e lartë e papunësisë.

“Megjithatë, përmirësimet po bëhen vazhdimisht në të gjitha fushat relevante dhe duke marrë parasysh se në vitin e ardhshëm do ta festojmë dhjetëvjetorin tonë si një vend i pavarur, rezultatet janë mjaft inkurajuese”, ka thënë ai.

Kreu i shtetit ka thënë se është e qartë se këto rezultate janë arritur edhe për shkak të perspektivës evropiane, duke përfshirë mbështetjen e konsiderueshme financiare të dhënë nga BE-ja përmes fondeve të IPA-s.

“Shpeshherë ndjehemi të zhgënjyer që procesi i integrimit evropian nuk është më i shpejtë, sepse vonesat po krijojnë hapësirë për aktorët e tjerë që përpiqen të cenojnë vlerat tona civilizuese perëndimore. Sido që të jetë, nënshkrimi i MSA-së në vitin 2015 ishte shumë i rëndësishëm dhe pritet që të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin tonë politik dhe ekonomik”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka shtuar se Kosova ende është duke pritur që puna e saj në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave të kurorëzohet me sukses, sepse jemi vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ende nuk kemi të drejtë të lëvizim pa viza.

Në Konferencën e Parë të Parisit, presidenti Thaçi ka folur edhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se ky dialog tani po hyn në një fazë të re dhe është shprehur i bindur se një marrëveshje përfundimtare do të arrihet brenda një të ardhme jo të largët.

“Dialogu deri tani ka dhënë shumë rezultate pozitive dhe mbetet çelësi i vetëm për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve respektive, si kusht i domosdoshëm për integrim në BE dhe NATO”, ka thënë ai.

Duke marrë në konsideratë kontekstin historik dhe gjeostrategjik, presidenti Thaçi ka thënë se BE-ja duhet ta ketë një valë të vetme të zgjerimit me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, që ato të anëtarësohen në BE në të njëjtën periudhë kohore, sepse ngjashmëritë ndërmjet tyre janë shumë evidente në të gjitha fushat.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme