Thaçi para takimit në Bruksel: Nuk ka as ndarje as zhvendosje të banorëve

Prishtinë | 07 Sht 2018 | 09:26 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi para takimit në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesen e BE-së, Federica Mogherini, ka thënë se marrëveshja përfundimtare do të ndodhë me njohjen reciproke të dy vendeve dhe se nuk do të ketë as ndarje të Kosovës dhe zhvendosje të banorëve.

“Po hyjmë në një fazë të re të dialogut, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për paqe me Serbinë. Ky proces do të shënojë një progres për shtetin e Kosovës, për Serbinë dhe për stabilitetin në rajon”, ka thënë Thaçi para takimit.

“Jam i vetëdijshëm që do të kemi pengesa dhe vështirësi të mëdha, por shpresoj që ne do të arrijmë proces. Ky konflikt është i paqëndrueshëm, duhet të lëvizim përpara në të ardhmen euro-atlantike. Ky dialog ka shpirtin evropian, vlerat euro-atlantike dhe gjithashtu do të shpie në zhvillimin ekonomik”, ka shtuar ai.

Ai ka përsëritur qëndrimet se në Kosovë do të ruhet multietnia, derisa ka shtuar se kërcënimet për luftë dhe refugjatë janë absurde.

“Ky dialog ka kuptim vetëm atëherë kur do të ndodhë njohja reciproke dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe në organizata tjera ndërkombëtare. Çështjen e dialogut askush nuk mund ta ndërlidh me çështje tjera nëpër botë. Në Kosovë do të ruhet shpirti multi-etnik dhe gjitha kërcimet për luftë dhe për refugjatë janë absurde”, ka thënë Thaçi.

I pyetur nëse gjatë bisedimeve do të shtrojë kërkesën e Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, Thaçi ka thënë se “Kosova është unike në favor të dialogut. Presidenti dhe parlamenti janë në favor të negociatave, janë në favor të demarkimit të kufirit të 430 kilometrave të Kosovës dhe Serbisë që nënkupton edhe përfshirjen Luginës”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme