Thaçi: Politika kosovare ka nevojë për reformë të thellë, platformat për dialog të mirëseardhura

Prishtinë | 25 Pri 2018 | 10:33 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti Hashim Thaçi tha se institucionet e Kosovës në vitet e fundit kanë punuar me brishtësi dhe se politika kosovare ka nevojë për reformë të thellë, raporton Ekonomia Online.

Këto komente ai i bëri në konferencën e organizuar nga Grupi për Ballkan, në bashkëpunim me Demokracinë  për Zhvillim dhe Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, me temën “Dekada e ardhshme e Kosovës: Avancimi i Reformave, Bashkëpunimi Rajonal dhe Integrimi Evropian”.

Sipas tij, ka një pjekuri politike, por në të njëjtën kohë kjo politike përcillet me thashetheme e spekulime dhe me pak debate e argumente.

“Kosova është storie e suksesit të plotë por jemi dëshmitarë por institucionet e vendit viteve të fundit kanë punuar me një brishtësi. Kemi pasur zhvillime në Kuvend të cilat kanë treguar pamje aspak të pëlqyeshme në botë”.

“Për bindjen time dhe politiken kosovare ka një pjekuri politike, por në të njëjtën kohë kjo politike përcillet me thashetheme e spekulime dhe me pak debate e argumente se ku jemi si politike dhe institucione, si shoqëri civile, por ku janë edhe mediat kosovare”.

Sipas tij, Gazi lotsjellës në Kuvend ka dërguar pamjen joreale të Kosovës në botë.

“Vetëm të shikojmë se cilat media botërore i përsëritin gazit lotsjellës në Kuvend shihet se kujt i kanë konvenuar ato zhvillime. Çështjet e gazit janë tejkaluar me pjekuri politike. Politika kosovare ka nevojë për reformë të thellë, por kjo u takon partive politike”.

Kreu i shtetit u shpreh i bindur se  ditët dhe javët e ardhshme do të jenë vendimtarë në konsolidimin e vendit.

“Unë kam besim të plotë se ditët dhe javët e ardhshme do të jenë vendimtarë ne konsolidimin e Kosovës. Ajo çka neve na mungon është se mos të fokusohemi në politikat ditore, por në politike sa më transparente dhe në politikë të qartë me rajonin dhe vendet që se kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, tha ai.

Ai tha se Kosova ka dëshmuar pjekuri në dialogun me Serbinë, tani mbetet që Serbia të përmbyllë sa më shpejt çështjen e urës dhe të energjisë.

“Dekada e ardhshme e Kosovës për mua është një titull shumë thelbësor i cili ka dy anë të rëndësishme. Së pari vet koncepti i një mendimi shqyrtues dhe planifikues na mungon neve në politikën kosovare. neve na mungon një plan strategjik i këtij lloji i cili duhet të qartësoj agjendën politike të Kosovës”.

Thaçi shtoi se ka mirëpritur platformat e prezantuara nga kryeparlamentari Kadri Veseli për konsensus të përgjithshëm politik, si dhe të qeverisë për finalizimin e dialogut me Serbinë.

“Unë mirëpres platformat që prezantohen nga liderët politik në vend dhe mundësit për përpjekje për arritjen e një konsensusi për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe sot vazhdoj të jem i bindur se kjo marrëveshje është obligative për dy vende. Ne nuk duhet të bëhemi pengës për të ardhmen e njëra tjetrës. Bashkimi Evropian nuk e pranon as Kosovën e as Serbinë pa i përmbyllur çështjes mes vete”, tha ai.

Ai tha se njohja e Rusisë është jetike për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, raporton EO.

“Në raport me Rusinë do të ishte me interes jetik edhe për të mirën e Serbisë njohja e Kosovës. Duke njohur Kosovën, Rusia do ta ndihmonte Serbinë duke e liruar nga miti i rrejshëm i Kosovës”.

Të ngjashme