Thaçi, presidenti i vetëm në rajon që pritet nga presidenti Macron (FOTO)

Prishtinë | 14 Mar 2018 | 13:37 | Nga

Njëri ndër personalitetet më të fuqishme të botës dhe me ndikim të madh në Evropë, presidenti francez, Emmanuel Macron, ka pritur sot në takim presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Në këtë takim bilateral ndërmjet dy presidentëve është biseduar për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Francës, si dhe për mundësinë e një shkëmbimi më të madh tregtar, njofton Zyra e Presidentit nëpërmes një komunikate shtypi.

Presidenti Thaçi ka falënderuar presidentin francez, Macron, për mbështetjen që Franca i ka dhënë Kosovës për lirinë, pavarësinë dhe në procesin e shtetndërtimit dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

“Franca është një aleat strategjik i Kosovës. Vizioni i presidentit Macron për Evropën dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor është një garanci për integrimin tonë në BE dhe NATO”, ka theksuar Thaçi.

Ai ka thënë se ka marrë mbështetje të plotë nga presidenti francez për rrugën e pakthyeshme të Kosovës drejt reformave dhe integrimeve euroatlantike.

Nga ana tjetër, presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka dhënë mbështetje të plotë presidentit Thaçi në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi ka thënë se Kosova është e përkushtuar që të përmbyllë këtë proces, i cili do të përfundojë me anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Në komunikatën e Zyrës së Presidentit të Kosovës theksohet se Thaçi është presidenti i vetëm në rajon që është pritur këtë vit nga presidenti francez, Emmanuel Macron.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme