Thaçi takohet me studentë, shpreson që të kenë të ardhme të sigurt dhe të mund të lëvizin lirshëm

Prishtinë | 20 Kor 2018 | 13:11 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti Hashim Thaçi ka pritur në takim studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me të cilët ka bashkëbiseduar rreth rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave dhe fazën finale të dialogut me Serbinë.

Thaçi tha se shpreson që studentët të kenë të ardhme të sigurt, dhe i ka uruar lidhur me rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave. Ai shtoi se studentët do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm në hapësirën Shengen, raporton Ekonomia Online.

“Shpresoj që kah viti i ri do të kemi mundësi të lëvizim lirshëm, në Vjenë, Bruksel, Paris apo kudo që ju doni të shkoni. Faleminderit për vizitën tuaj. Do të doja të kemi më shumë një bashkëbisedim. Kosova duhet të vazhdojë dialogun e vëmendshëm, t’i kalojmë këta tre katër muaj sa kanë mbetur për liberalizimin. Evropa nuk është e panjohur për Kosovën, kemi identitet evropian. Të punojmë bashkërisht. Është jetike që kemi ruajtur dhe ruajmë partneritetin me botën perëndimore. Bota po ndryshon, interesat po ndryshojnë, orientimin perëndimor ta ruajmë si vlerë jo vetëm si interes. Duhet të jemi në NATO, në BE”.

Presidenti Thaçi nuk la pa ua përsëritur edhe studentëve se Kosova është në një proces të fazës finale të dialogut me Serbinë, dhe se duan që ky proces të përfundojë sa me shpejt me njohje reciproke, në mënyrë që, sipas tij, të hapet perspektivë për një integrim të shpejtë të Kosovës në NATO dhe BE, raporton EO.

Bekim Ibishi, student i Shkencave politike, e pyeti presidentin për rrezikun e emigrimit të kosovarëve pas liberalizimit.

Në përgjigjen e tij, Thaçi tha se kosovarët duhet të lëvizin aq sa lëvizin qytetarët tjerë brenda BE-së. Ai theksoi se është e nevojshme që qytetarët të informohen saktë se çka lejohet dhe çka nuk lejohet pas liberalizimit.

“Kosova e ka përvojë më të mirë për menaxhimin e këtij procesi. Të gjithë e kanë obligim një njoftim të saktë se çka nënkupton liberalizimi, ka standarde. Ju duhet të lëvizi aq sa lëvizin të tjerët. Të gjithë duhet t’i kontribuojmë pa dallim të mendojmë se si lehtësojmë nxjerrjen e vendimit nga vendet anëtare dhe mos të dërgojmë mesazhe që e komplikojnë këtë proces”.

Studenti Drilon Berisha nga Rahoveci, e pyeti Thaçin se  a do të kenë kosovarët më shumë mirëqenie pas përfundimit të dialogut me Serbinë.

I pari i vendit deklaroi se me Serbinë duan të kenë vetëm fqinjësi të mirë dhe jo luftë.

“Njëherë e përgjithmonë të ndajmë shapin prej sheqerit, mos të kemi punë me ata e as ata me ne, të kemi një fqinjësi të mirë me ta. Nuk e dua asnjë minutë luftë, nuk dua të shoh apo dëgjoj për asnjë viktimë, qoftë shqiptar apo serb”.

Thaçi bëri të ditur detaje nga takimet e tij me presidentin serb, Vuçiq, për të cilin tha se gjatë takimeve deklaron se Kosova është pjesë e Serbisë.

“Ai fillon dhe përfundon takimet me shprehjet ‘Kosova është pjesë e Serbisë’, por në të njëjtën kohë ai e di se Kosova është vend i pavarur”.

Thaçi tutje ka thënë se bota nuk e pret Kosovën, derisa kërkoi që e gjithë skena politike të punojë së bashku që të përmbyllet dialogu me Serbinë.

“Ishte e rëndë për mua kur presidenti thotë që vendi yt është pjesë e vendit tim, ai po tregohet i pandershëm në raport me Kosovën. I mbetet BE-së t’i shohë këto sjellje”.

Të ngjashme