Thaçi thërret takimin e radhës për reformën zgjedhore

Prishtinë | 07 Nën 2016 | 18:08 | Nga

Presidenti Thaçi sot ua ka dërguar edhe ftesën e radhës subjekteve politike për pjesëmarrje në takimin e dytë për reformën zgjedhore.

Telegrafi ka mësuar se kjo ftesë sot u është dërguar disa subjekteve politike.

Takimi i radhës do të mbahet më 11 nëntor 2016, nga ora 11:00, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Salla C-301.

Kjo është konfirmuar edhe nga kabineti i presidentit Thaçi.

“Po, takimi i radhës me kryetarët e subjekteve politike apo me të deleguarit e tyre, ku do të diskutohet sërish për reformën zgjedhore, do të mbahet këtë të premte, në orën 11:00. Ftesa tash ishte duke iu shpërndarë subjekteve politike”, ka konfirmuar për Telegrafin, Ardian Arifaj, këshilltar politik i presidentit Thaçi.

Pjesë e takimit të parë të Thaçit për reformën zgjedhore ishin përfaqësuesit e 15 subjekteve politike, parlamentare dhe atyre joparlamentare, përfaqësuesit e ambasadës së SHBA-ve, ata të Zyrës së BE-së, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, kryetarja e KQZ-së, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Në këtë takim kanë munguar përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së dhe Nismës për Kosovën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme