Trajkoviq fton serbët për koalicion me Kurtin para Haradinajt

Prishtinë | 13 Kor 2017 | 19:21 | Nga

Serbët e Kosovës, duhet të bëjnë koalicion me Albin Kurtin, sepse ky koalicion është më i pranueshëm se ai me Haradinajn.

Sipas, Momçilo Trajkoviqit nga Forumi nacional serb, koalicioni me Vetëvendosjen, do të ishte më i dobishëm për Kosovën dhe serbët.

“Për serbët e Kosovës, koalicioni me Albin Kurtin që ka duart e pastra, është shumë më i pranueshëm, se ai me Ramush Haradinajn”, ka thënë Trajkoviq për Zërin e Amerikës.

Por, për Vetëvendosjen, Lista Serbe është e përjashtuar nga mundësia për koalicion.

Ndërkaq, Petrit Zogaj nga Lëvizja “FOL”, vlerëson se një koalicion i tillë edhe mund të ndodhë. Në anën tjetër, ende asnjë ftesë nuk e kanë marrë përfaqësuesit serbë të Kosovës për konsultime për formimin e Qeverisë.

Kështu të paktën ka thënë për mediat serbe kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq.

Ai ka mohuar pohimet që përfaqësues të kësaj liste të kenë biseduar jozyrtarisht me kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli. Ndërkaq, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq, e ka ftuar Listën Serbe që të mos nxitojë dhe t’ua lërë partive shqiptare, që, nëse munden, të merren vash për ta formuar Qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Të ngjashme