Veliu: Iniciativa e Thaçit e ngutshme, s’ka Ushtri pa ShBA-në dhe NATO-n

Podujevë | 16 Mar 2017 | 13:48 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lidhja Demokratike e Kosovës është për shndërrimin e FSK-së në ushtri, por kjo duhet të ndodhë në koordinim të plotë me ShBA-në, NATO-n, por edhe me një konsensus të të gjitha subjekteve politike në vend.

Kështu thotë për Ekonomia Online nënkryetari i LDK-së, njëherësh kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu.

Ai thotë se ky subjekt politik nuk e sheh të arsyeshme të ngutet ky proces, të cilin e konsideron të rëndësishëm dhe as të bëhet për “protagonizëm”.

“Nuk ka njeri dhe as subjekt politik që është kundër shndërrimit të FSK-së në forcë ushtarake të Kosovës por edhe nga ana tjetër nuk kemi nevojë për nguti dhe protagonizëm sikurse që po tenton dikush ta bëjë me këtë çështje e cila është shumë e ndjeshme dhe shumë e rëndësishme për Kosovën”, tha ai.

Veliu thotë se partnerët ndërkombëtarë janë ankuar për nismën e presidentit Thaçi për shndërrimin e FSK-së, për të cilën thotë se duhet të provohet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, pa e cenuar miqësinë me miqtë ndërkombëtarë.

“Qëndrimi im dhe i LDK është që shndërrimi i FSK-së duhet të bëhet patjetër këtu është një konsensus i të gjitha subjekteve politike. Mirëpo, mënyra se si ajo gjithqysh duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese fillimisht me një përpjekje të të gjithëve që të shteren të gjitha mundësit dhe me përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s assesi pa koordinim”.

“Po kemi vërejtje edhe nga partnerët tanë, Shtetet e Bashkuara, nga NATO-ja që kjo punë ndoshta është bërë me një nguti dhe pa një koordinim të mirë. Unë jam gjithsesi që kjo të bëhet me një koordinim të mirë edhe të faktorit politik brenda Kosovës, por gjithsesi në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë sikurse që janë Shtetet e Bashkuara edhe NATO”, thotë ai.

Zërat për prishjen e koalicionit mes PDK-së dhe LDK-së, Veliu i ka quajtur si dëshira të individëve që kanë halle dhe probleme personale, duke siguruar se koalicioni po funksionon mirë dhe se po implementon planin qeverisës.

“Unë jam ithtar i asaj që zgjedhje nacionale të kemi vitin e ardhshëm, sikurse është paraparë me kalendarin e zgjedhjeve dhe të mos kërkohet vazhdimisht zgjedhje të shpejta të jashtëzakonshme vetëm për arsye se ndoshta dikush mund të jetë i pakënaqur me pozicionin pas zgjedhjeve në pozicionin politik apo individ të ndryshëm që mund të kenë halle e probleme të ndryshme personale te cilat i faturojnë diku tjetër”, tha ai.

Ai thotë se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Mustafa është e interesuar që të ratifikojë marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi dhe ta themelojë asociacionin e komunave serbe.

Të ngjashme