Veliu: Qeveria u rrëzua sepse i pengonte suksesi i Mustafës

Prishtinë | 10 Maj 2017 | 18:02 | Nga

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se votimi i PDK-së për ta rrëzuar qeverinë ka ardhur për arsye se iu ka penguar puna e kryeministrit, Isa Mustafa.
Veliu madje ka thënë se PDK-ja është tmerruar me rezultatet e suksesshme të qeverisjes së Mustafës dhe sipas tij, nuk kanë qenë të interesuar të marrin vendime të mëdha.

Kryetari i Podujevës ka theksuar se për PDK-në i kanë vlerësimet e njëjta, si ato të mëhershmet, dhe nuk kanë ndryshuar.

“Me të thënë drejtën, vlerësimet tona kanë qenë të njohura kaher, qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar asnjëherë, ne i njohim. Jemi në këtë skenë bashkërisht ka vite. është mosrespektim i marrëveshjes që e kemi pasur, është shkelje e marrëveshjes dhe arsyet i kemi ditur në momentin kur këta kanë filluar kësi lëvizjesh, por tashmë janë krejt të qarta se këta i ka penguar puna e qeverisë, rezultatet e qeverisë për ta kanë qenë tmerruese, dhe nuk kanë qenë të interesuar t’i marrin vendimet e mëdha në të cilat po thirren”, ka thënë Veliu për lajmi.net.

Veliu ka thënë se PDK-ja nuk ka qenë e interesuar të kalohet demarkacioni, por shkuarja në zgjedhje, problemet me Gjykatën Speciale dhe indikacionet se PDK-ja është në rënie.

“Nuk kanë qenë të interesuar as për demarkacionin ta kalojmë, as nuk kanë qenë të interesuar që në zgjedhje lokale të shkojmë me kryeministrin Mustafa, dhe po ashtu një prej arsyeve kryesore është se Gjykata Speciale, dhe raportet e tyre në mes vete dhe sigurisht indikacionet se këta janë në rënie kanë qenë arsyet kryesore që të ndërpritet ky koalicion”.

Veliu ka treguar se PDK-ja ka dal hapur kundër liberalizimit të vizave, sepse sipas tij, kalimi i demarkacionit do të sillte vizat.

“Këta definitivisht në këto 2-3 ditë e fundit është parë që kanë qenë haptas kundër liberalizimit të vizave, sepse demarkacioni sillte liberalizimin dhe këta kanë qenë kundër demarkacionit dhe nuk kanë qenë të gatshëm ta votojnë, por e kanë përdorur si pretekst për rrëzim të Qeverisë”, ka deklaruar Veliu për lajmi.net.

Nënkryetari i LDK-së ka thënë se vetëm dy deputetë të partisë së tij kanë qenë kundër demarkacionit, ndërsa në PDK 7.

“Kanë qenë dy deputetë të LDK-së kundër demarkacionit dhe 7 të PDK-së. Ne e kemi unifikuar grupin dhe kemi dhënë garanca që pas seancës së mocionit do fusin në rend dite demarkacionin dhe këta kanë dashur me pas tjera renditje dhe zhvillime”.

Veliu thotë se është vështir të bashkëpunohet më PDK-në më, pas prishjes së marrëveshjes.

Ai ka theksuar se veprimi i PDK-së mund të jetë një cikël i rrezikshëm për Kosovën sepse do të jetë vështir të ndërtohen institucione të besueshme pas këtyre veprimeve.

“Ne ua kemi bërë me dije edhe gjatë bisedave me ta, sepse kemi pasur disa biseda me ta, ua kemi bërë me dije se nëse prishja ndodhë njëanshëm, do të jetë e vështir pas një cikli tjetër zgjedhor që të gjejmë një gjuhë të përbashkët, nuk po them vija të kuqe, por ne ua kemi bërë me dije se nëse njëanshëm prishet koalicioni do të jetë vështir të bëjmë marrëveshje me ta. Ky mund të jetë një cikel i rrezikshëm për Kosovën sepse pas një procesi të këtillë zgjedhor, do të jetë e vështir të ndërtohen institucione të besueshme”, ka thënë Veliu.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme