Vendimet e Serbisë karshi “Trepçës” janë absurde

Prishtinë | 11 Tet 2016 | 16:52 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë reaguar lidhur me vendimin e Qeverisë së Serbisë për të anuluar aprovimin e Ligjit për ndërmarrjen “Trepça”, të cilin e miartoi ditë më parë Kuvendi i Kosovës.

Dy deputetët e koalicionit qeverisës, Zenun Pajaziti (PDK) dhe Muahmet Mustafa (LDK), i kanë quajtur absurde vendimet e Beogradit lidhur me ndërmarrjen “Trepça”.

Ata kanë thënë se vendimet që i merr Kuvendi i Republikës së Kosovës mund t’i zhvleftësojë vetëm Kuvendi i Kosovës dhe në asnjë mënyrë t’i anulojë Serbia.

Deputeti, Muhamet Mustafa, dhe njëherit kryetar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se shumë deklarata për “Trepçën” nga Beogradi përbëjnë një blof politik për konsum të brendshëm, “por edhe ta rikujton një vendim të Millosheviqit që ka abroguar me institucionet e Kosovës në vitin 1990 dhe ajo ka shkaktuar gjakderdhje në Jugosllavi”.

“Prandaj edhe është një problem shumë i madh menjë mendësi të tillë, por unë shpresoj se kjo është që më tepër e kanë ndez njëherë opinionin e mbrëmshëm me shumë deklarata të pa baza dhe kjo deklaratë është shumë e pa bazë, sepse nuk ka asnjë mundësi që Serbia t’i anulojë vendimet e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa, deputeti Zenun Pajaziti, ka thënë se vendimet që i merr Kuvendi i Republikës së Kosovës mund t’i zhvleftësojë vetëm Kuvendi i Kosovës.

“Të gjitha vendimet, të gjitha ligjet, të gjitha memorandumet, gjithçka që kemi aprovuar në këtë institucion janë të vlefshme, sepse e kanë mandatin e Republikës së Kosovës, e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti.

“Vendimet e tilla jo që janë absurde, por do të jenë edhe të pa vërejtura nga Republika e Kosovës, nga institucionet tona”.

“Ne i ftojmë ata dhe të gjithë të tjerët që të jenë të hapur për bashkëpunim të trajtojmë çështje që kanë interes zhvillimin ekonomik të dy vendeve dhe kemi shumëçka për të biseduar, por vendimet tona janë vetëm tonat dhe as nuk dua t’i komentoj”, ka theksuar Pajaziti.

 

Të ngjashme