Veseli apelon që të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike në Drenas

Prishtinë | 17 Dhj 2016 | 12:32 | Nga

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, që njëherësh është edhe kryetar i PDK-së, me rastin e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Drenasit, u ka bërë thirrje të gjithë mekanizmave që merren me mbarëvajtjen e këtij procesi që të jenë vigjilentë në mënyrë që të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike.

Ai ka thënë se PDK-ja është e përkushtuar që përpos mbarëvajtjes së zgjedhjeve, të sigurojë që ato të jenë të lira, pa ndërhyrje dhe transparente.

Kjo është deklarata e plotë e Veselit:

Të nderuar ambasadorë rezident në Republikën e Kosovës, të nderuar përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile,

Siç jeni në dijeni, më 18 Dhjetor do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Drenasit. Edhe pse deri tani nuk ka pasur ndonjë shqetësim apo incident sa i përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këtë komunë, kam dëshirë që përsëri t’ju ftoj që të monitoroni këtë proces të rëndësishëm nga afër.

Zgjedhjet e lira janë baza e çdo demokracie liberale dhe gjithë ne jemi të obliguar që ta ruajmë atë. Partia Demokratike e Kosovës është e përkushtuar që përpos mbarëvajtjes së zgjedhjeve, të sigurojë që ato të jenë të lira, pa ndërhyrje dhe transparente.

E mirëpresim prezencën tuaj në Drenas më 18 Dhjetor 2016.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme