Delegatët e 2 Korrikut, hallkë e rëndësishme në lëvizjen për liri e pavarësi

Prishtinë | 13 Nën 2017 | 13:22 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka pritur në takim një grup përfaqësuesish të delegatëve të cilët shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, të kryesuar nga Iliaz Ramajli.

Përfaqësuesit e delegatëve të 2 Korrikut falënderuan kryeparlamentarin Veseli për përkushtimin e tij të vazhdueshëm, deri në konkretizim të vendimit për të mbështetur financiarisht ish-kuvendarët e viteve të ’90-ta.

Iliaz Ramjali tha se që nga viti 2012 është provuar të gjendet një mënyrë për mbështetje financiare të ish-delegatëve, por, sipas tij, kjo nuk ishte arritur të bëhej, deri tani.

“Gjendja sociale e një numri të madh të delegatëve nuk është e mirë. Kjo përkrahje materiale, një numri të madh të delegatëve do t’ia përmirësojë gjendjen materiale, por është dhe një satisfaksion moral për punën që kemi bërë. Falënderojmë kryeparlamentarin Veseli për mbështetjen e tij të vazhdueshme”, theksoi Ramajli.

Ai bëri të ditur se nga 111 delegatë të 1990-s, 34 nga ta kanë vdekur, ndërsa 77 janë ende gjallë, prej të cilëve 65 janë mbi moshën 60-vjeçare.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke falënderuar delegatët e 2 Korrikut për kontributin e tyre, i konsideroi ata hallkë e rëndësishme në lëvizjen tonë për liri dhe pavarësi të Kosovës, duke shprehur kështu vullnetin dhe kërkesat e popullit për lirinë e Kosovës si hap i parë drejt pavarësisë së plotë të Kosovës.

“Mbështetja financiare e institucioneve të Kosovës ndaj delegatëve të 2 Korrikut, e cila do të jetë e përhershme, nuk është kompensim, sepse puna e tyre nuk paguhet. Është nderim institucional dhe përkujdesje njerëzore për ta dhe familjet e tyre. Shpreh mirënjohje veçmas për delegatët që sot nuk jetojnë në mesin tonë dhe u dërgoj mesazh respekti familjeve të tyre”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Kreu i Kuvendit të Kosovës shtoi se përkrahja financiare për ish-delegatët do të jetë e përhershme.

Qeveria në mbledhjen e javës së shkuar ka marrë vendim që të ndajë 300 mijë euro për 111 delegatët e legjislaturës së viti 1990.

Këta delegatë kanë certifikuar mandatin e deputetit në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës të datës 4 dhjetor 1999, të cilët kanë marrë pjesë  në Mbledhjen e Kuvendit të Kosovës me datë 2 Korrik 1990 dhe me datën 7 shtator 1990 si dhe kanë vazhduar të marrin pjesë në mbledhjet e Kuvendit deri më datën 24 maj 1992.

Të ngjashme