Veseli dhe Fajon për vizat: Jemi në prag të vendimit të madh

Strasbourg | 13 Qer 2018 | 12:48 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar raportuesen për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, me të cilën diskutoi rreth zhvillimeve aktuale në vend dhe rajon, procesin e euro-integrimeve dhe me theks të veçantë, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryeparlamentari Veseli konfirmoi edhe njëherë përkushtimin e institucioneve dhe të popullit të Kosovës për të ecur më shpejt në proceset e integrimit evropian, por theksoi gjithashtu domosdoshmërinë që edhe Bashkimi Evropian të lëvizë përpara në raport me Kosovën dhe qytetarët e saj, veçanërisht lidhur me heqjen e vizave gjatë këtij viti.

“Zonja Fajon është duke bërë një punë jashtëzakonisht pozitive, në mënyrë që liberalizimi i vizave për qytetarët tanë të ndodhë. Analizuam realitetin në të cilin jemi. Jemi pothuajse në fazën përfundimtare. Të gjitha kushtet teknike janë plotësuar. Tani kemi nevojë vetëm për vendimmarrje politike. Jam i sigurt që në fund të këtij viti qytetarët tanë do të lëvizin lirshëm pa viza në Zonën Shengen. Zonja Fajon gjithashtu më këshilloi se në cilat vende duhet të orientohemi, për t’i bindur ato lidhur me liberalizimin e vizave. Jemi në prag të vendimit të madh”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Edhe raportuesja Fajon, nga ana e saj, shprehu besimin se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodhë gjatë këtij viti, ngase, siç tha ajo, Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha kriteret.

Ajo tha se sapo Komisioni të dalë me raport pozitiv në fund të qershorit, menjëherë në fillim të korrikut do ta fus në agjendën e Komisionit të liberalizimit të vizave çështjen e Kosovës.

“Jam e lumtur që po e takoj kryetarin e Kuvendit të Kosovës, për t’i diskutuar hapat e ardhshëm për liberalizim të vizave. Përkrahja ime është e paekuivoke, sepse qytetarët e Kosovës e meritojnë të udhëtojnë pa viza në Zonën Shengen”, tha Fajon, raportuese për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Të ngjashme