Veseli e Eichhorst konfirmojnë perspektivën evropiane të Kosovës

Prishtinë | 14 Sht 2017 | 10:15 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, priti në takim Angelina Eichhorst, zëvendësdrejtoreshë Menaxhuese për Evropë dhe Azinë Qendrore dhe Drejtoreshë për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm Evropian.

Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në Kosovë, procesin e integrimit evropian të saj dhe hapat që duhet ndërmarrë në këtë proces.

Zyrtarja e lartë e BE-së i konfirmoi kryeparlamentarit Veseli mbështetjen e fuqishme të Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Kosovës, ndërsa shfaqi shpresën në përmbushjen sa më të shpejtë të të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave nga ana e Kosovës.

Kryeparlamentari Veseli e siguroi Eichhorst se institucionet e reja të Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht për përmbushjen e kritereve që mundësojnë heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe lehtësojnë rrugën evropiane të saj.

Veseli tha se Kosova po punon maksimalisht, së bashku më partnerët e saj, në avancimin e reformave demokratike, forcimin e shtetit ligjor dhe luftimin e korrupsionit e të krimit të organizuar.

Eichhorst uroi kryeparlamentarin Veseli për rizgjedhjen e tij kryetar i Kuvendit, ndërsa shfaqi shpresën që bashkëpunimi midis Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës do të thellohet edhe më tej.

Në këtë takim ishte e pranishme edhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuese e Posaçme të BE-së, Nataliya Apostolova.

Eichhorst do të zhvillojë takim edhe me kreun e ekzekutivit Ramush Haradinaj. Gjithashtu takon edhe kreun e VV-së Visar Ymerin dhe Avdullah Hotin nga LDK, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme