Veseli e Vokrri përurojnë Stadiumin e Qytetit në Kaçanik

Kaçanik | 07 Nën 2017 | 17:03 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, bashkë me kandidatin për kryetar të Kaçanikut, Besim Ilazi, dhe presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, përuruan sot stadiumin “Besim Begunca” në Kaçanik.

Me këtë rast, kreu i PDK-së ka premtuar se për katër vitet e ardhshme do të investohen së paku 100 milionë euro në stadiume gjithabdej në Kosovë.

“Ky stadium ende nuk është përfunduar, është vetëm në fazën fillestare. Do të ndërtohen edhe tribunat”, tha Veseli.

“Në të njëjtën kohë do të vazhdojmë edhe me stadiumin në Vushtrri, ku do të ndërtojmë një stadium i cili do të përmbushë të gjitha kriteret për lojëra ndërkombëtare”.

“Gjithashtu jemi në fazën finale të një investimi i cili do të jetë Stadiumi Olimpik si dhe Qendrën Sportive në Drenas”, theksoi kreu i PDK-së.

Kreu i FFK-së, Fadil Vokrri, uroi qytetarët e Kaçanikut për stadiumin ndonëse tha se çalojnë mjaft në infrastrukturën sportive anembanë Kosovës.

“Shpresojmë që nga Kaçaniku do të vazhdojmë edhe me komunat e tjera”, tha Vokrri.

Ndërsa, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka thënë se po punojnë në fazën e parë të këtij stadiumi, ndërsa shtoi se janë dakorduar me kryetarin e Komunës që ta vazhdojnë edhe fazën e dytë.

Më herët, Gashi ka vizituar dhe Palestrën e Sportit, e cila tha se do të jetë një investim shtesë në vitin 2018 në mënyrë që ta përmbyllin infrastrukturën sportive në Kaçanik.

Gashi po ashtu pohoi se do t’i mbështesin fuqishëm edhe kërkesat e tjera të kryetarit të Kaçanikut.

Të ngjashme