Veseli: Hani i Elezit u trajtua si pronë private, e meriton ndryshimin

Hani i Elezit | 07 Tet 2017 | 16:43 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, bashkë me kandidatin e PDK-së për kryetar, Florim Shkreta, kanë marrë pjesë në një tubim elektoral në Hanin e Elezit.

I pari i PDK-së ka thënë se edhe në këtë qytezë po shihet entuziazmi për ndryshimin dhe për fitoren e madhe të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Hani i Elezit ka nevojë për forcën transformuese të Partisë Demokratike të Kosovës, me kryetar Florim Shkretën dhe kandidatët e saj për asamblenë komunale. Prioritet i parë dhe emergjent është zgjidhja e problemit të ujit të pijes. Komuna e Hanit të Elezit s’do duhej më të ballafaqohej me problemin elementar. A ka dështim më të madh se sa të mos jesh në gjendje të zgjidhësh problemin e ujit, e të mos flasim për çështjet tjera? Ju jap fjalën, se së bashku me Florim Shkretën kryetar, në afat rekord do të krijojmë strategjinë konkrete për ta zgjidhur këtë problem”, ka thënë Veseli.

Fokus i menjëhershëm i qeverisjes së Partisë Demokratike të Kosovës në Hanin e Elezit, sipas Veselit, do të jetë edhe punësimi i të rinjve të kësaj komune.

“Hani i Elezit është përshtypja e parë për secilin të huaj që hyn në Kosovë, prandaj është interes nacional që kjo zonë të bëhet pjesë e zhvillimit të vendit. Ka shumë probleme tjera të mëdha në Hanin e Elezit, në arsim, shëndetësi dhe në ambientin e ndotur. Por, me qeverisjen e Partisë Demokratike të Kosovës menjëherë do t’i japim fund praktikave negative të nepotizmit dhe familjarizimit që e kanë dëmtuar edukimin dhe shëndetësinë tuaj. Komuna nuk është pronë private e askujt. Ajo u takon të gjithë qytetarëve, në mënyrë të barabartë dhe të paanshme”, ka thënë ai.

Veseli ka shtuar se Hani i Elezit meriton një qeverisje tjetër dhe Partia Demokratike e Kosovës është gati të marrë vendimet e duhura për t’ia kthyer dinjitetin kësaj komune dhe qytetarëve të saj.

Të ngjashme