Veseli-Haradinaj: Nga sot nuk ka bllokadë, kemi shumë agjenda para nesh

Prishtinë | 07 Sht 2017 | 16:54 | Nga Kaltrina Zymberi & Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe mandatari për krijimin e qeverisë, Ramush Haradinaj, kanë dalë në një konferencë të përbashkët shtypi.

Veseli tha se nga dita e sotme nuk ka bllokadë institucionale dhe se i presin shumë punë përpara, raporton Ekonomia Online.

Seanca e sotme ku u zgjodh kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, duke mundësuar dhe konstituimin e Kuvendit, u mbajt më 7 shtator në Ditën e Kushtetutës së Kaçanikut. Veseli tha se kjo është një koincidencë e mirë .

“Koincidenca e 7 shtatorit është ditë historike për Kushtetutën e Kaçanikut. Por edhe konstituimi i Kuvendit tonë është një shenjë e mirë, sepse ne punojmë për të mirën e qytetarëve dhe të atdheut tonë që të mbrojmë atë që kemi arritur deri më tani, të respektohet vullneti qytetar dhe të kemi institucione që lidhen drejtpërsëdrejti me vendin tonë dhe integrimet euroatlantike”.

Veseli ka falënderuar të gjithë deputetët që sot e votuan, si nga pozita ashtu dhe nga opozita, sikur u shpreh ai. “Nga dita e sotme nuk ka bllokadë institucionale. Kemi shume agjenda përpara nesh, të cilat lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve tanë, me jetën e fëmijëve, sepse për ne, qytetarët nuk ka vend më të mirë se Kosova dhe duhet ta duam më shumë atë”.

Sipas kreut të Kuvendit, Qeverinë e ardhshme e presin shumë sfida. “E kemi mandatarin një njeri që është i dëshmuar dhe bashkërisht do të punojmë për shtetin tonë dhe ne kemi nevojë për përkrahjen e secilit qytetar të Kosovës”.

Haradinaj apelon, mos u largoni nga vendi, zgjidhja është këtu

Edhe mandatari për formimin e Qeverisë së re, Ramush Haradinaj, ka thënë se është lajm i mirë konstituimi i Kuvendit. Ai ka treguar se Qeveria pritet të votohet të shtunën në Kuvend.

“Ajo që na mundon shumë është gjendja në vend, të gjitha ato tema që e preokupojnë qytetarin tonë. Qëllimi ynë është që ata që e mendojnë që zgjidhja është në rrugët e botës, ta kuptojnë se zgjidhja është këtu”, ka thënë Haradinaj.

Porosia e tij iu drejtohet kosovarëve që ditëve të fundit, sipas disa raportimeve, kanë nisur në numër më të madh të largohen me autobusë nëpërmes Serbisë, duke synuar shtetet e Bashkimit Evropian.

“Detyra jonë e të gjithëve është që me punë të gjallërohet ky vend dhe të kthehet shpresa”.

Haradinaj bëri të ditur se nesër do të bëhen të ditur emrat e ministrave të rinj, ndërsa tha se është duke u punuar edhe në përgatitjen e programit qeverisës.

“Kemi besim se do të votohet qeveria… Ne besojmë që Parlamenti i Kosovës do të mbrojë interesin e vendit. Situata është jo e lehtë, por me punë dhe një mobilizim të madh me partnerët tanë politikë dhe ekonomikë do të vërtetohet se ka zgjidhje në këtë vend”.

“Ne jemi të vendosur për këtë edhe pse e dimë që nuk është e lehtë”, përfundoi mandatari për formimin e Qeverisë.

© Ekonomia Online

Të ngjashme