Veseli ia premton Drenasit stadiumin më modern në Kosovë

Drenas | 19 Tet 2017 | 15:18 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, në një tubim elektoral në Drenas, ka thënë se në mbrëmjen e 22 tetorit, lajmet e para për fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës do të vijnë nga Drenica.

Ai ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës nuk është thjeshtë parti në Drenicë, por është edhe identitet dhe emblemë.

“Partia Demokratike e Kosovës është e juaja. Ka lindur nga plagët tuaja të lirisë. Prandaj fuqizojeni Partinë Demokratike të Kosovës. Mos lejoni të shkelin mbi plagët tuaja, mbi nderin dhe identitetin tuaj. Askush nuk ka punuar dhe s’do të mund të punojë më shumë për Drenicën, se Partia Demokratike e Kosovës”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se kanë dalë do zëra se Drenica dhe Drenasi janë dobësuar, por le ta harrojnë.

“Momentet më të vështira për jetën dhe vendin tonë i kemi kaluar bashkë. Ua njoh guximin, fuqinë e fjalës dhe besën e nderit. Nuk ndahet Drenica. Nuk lëvizë. Është një. Është unike. Më e bashkuar se kurrë, për Drenicën dhe Partinë Demokratike të Kosovës, për fitoren tonë më 22 tetor, për Ramiz Lladrovcin kryetar”, ka thënë Veseli.

I pari i PDK-së ka thënë se e di, e ndjen dhe beson se Drenasi, gjithë Drenica, do të jenë në ballë të fitores së madhe të PDK-së më 22 tetor.

Ai i ka premtuar Drenasit ndërtimin e stadiumit më modern në Republikën e Kosovës.

Ndërsa, kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, njëherësh kandidat edhe për një mandat, ka thënë se më shumë se kurrë e ndjen frymën e fitores, optimizmin, vullnetin dhe besimin e fuqishëm të qytetarëve të Drenasit.

Lladrovci ka thënë se edhe në mandatin e radhës do të mbizotërojë barazia para ligjit, reforma dhe disiplina në administrata e shkolla, rregulli në shëndetësi, përmbushja e të gjitha premtimeve për investime kapitale në infrastrukturë dhe përkrahja për familjet e dëshmorëve, të martirëve dhe veteranëve të luftës së UÇK-së.

Ai ka treguar se do të fillojë rrugën me katër korsi dhe studimin e fizibilitetit për ngrohjen qendrore.

Kandidati i PDK-së për Kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka premtuar se me përkrahjen e qytetarëve, në mandatin e ardhshëm, do t’i përmbyllë të gjitha çështjet e infrastrukturës, do të rrisë edhe më shumë cilësinë në arsim, në shërbime shëndetësore dhe do t’i ndajë 200 bursa për studentët nga Drenasi.

Të ngjashme