Veseli: Klina vazhdon modelin e qeverisjes së mirë me Sokol Bashotën

Prishtinë | 13 Nën 2017 | 16:22 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, në një tubim elektoral në Klinë ka thënë se vendimi i qytetarëve për të mbështetur kryetarin  Sokol Bashota është vendim për ta fuqizuar Klinën, për ta zhvilluar dhe për ta bërë të sigurt ecjen përpara të saj në mandatin e ri katërvjeçar.

“Në tetor, verdikti juaj ishte i qartë, i kthjelltë si uji i Drinit. Klina vazhdon me Sokol Bashotën, vazhdon në rrugën e zhvillimit dhe përparimit, vazhdon modelin e qeverisjes së mirë, transparente dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallime partiake, etnike e fetare. Klina vazhdon historinë e suksesit që mban emrin e Sokol Bashotës dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, forcës që ndryshon Kosovën, forcës që zhvillon Kosovën, forcës që garanton shtetin e Kosovës”, ka thënë Veseli.

Lideri i PDK-së ka thënë se qeverisja 10 vjeçare e Sokol Bashotës në Klinë është shembull sesi udhëhiqet komuna, jo vetëm për Kosovën, por edhe në shkallë rajoni.

“Vetë rezultati i zgjedhjeve të tetorit e dëshmon më së miri këtë fakt. Me punën e tij shembullore, Sokol Bashota ia ka dalë ta transformojë Klinën. Nga një komunë transitore mes Pejës e Prishtinës, e ka bërë një komunë shembull të qetësisë dhe sigurisë publike, në një komunë të bashkëjetesës shembullore ndërfetare dhe ndëretnike”, ka thënë ai.

Veseli ka thënë se Bashota veçohet për forcën e tij të unitetit, të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit.

Ai ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk kënaqet me rezultatet e arritura.

“Ne kemi bërë punë të mëdha për vendin, por përpara kemi ende shumë sfida për t’i tejkaluar. Zhvillimi ekonomik është beteja jonë e re. Komuna është vija e parë e frontit në këtë betejë. Ne jemi krenarë që në Klinë kemi një kryetar si Sokol Bashota, që di dhe ka guxim të përballet me sfidat”, ka thënë ai.

I pari i PDK-së ka thënë se është i sigurt se mandati i ri i Sokol Bashotës në krye të Klinës do të jetë mandati që Klinës dhe qytetarëve të saj do t’u sjellë zhvillim ekonomik, vende të reja të punës për të rinjtë, më shumë investime në agrobiznes dhe sektorin privat.

Ai ka thënë se komunat që do të qeverisen nga PDK-ja do të jenë gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe të atyre që punojnë, prodhojnë dhe krijojnë vende pune.

Të ngjashme