Veseli: Malishevasve u është kthyer shpresa, sepse po rikthehet qeverisja e PDK-së

Malishevë | 17 Nën 2017 | 14:57 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një tubim elektoral në Carallukë të Malishevës, ka thënë se në Malishevë po kthehet shpresa, po kthehet optimizmi, sepse po rikthehet në qeverisje Partia Demokratike e Kosovës.

“PDK po kthehet për ta ndryshuar Malishevën, për t’i hapur perspektivë zhvillimit dhe për t’i dhënë qeverisje të mirë, po kthehet me Mursel Gashin, kryetarin e ri”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se për katër vjet në Malishevë është krijuar një praktikë e keqe, duke i larguar njerëzit nga puna për shkak të bindjeve politike.

“Arsimtarët, mjekët e shërbyesit civilë të Malishevës janë përballë me diskriminimin partiak, ndërsa fermerët e sipërmarrësit me presione të paligjshme korruptive. Është ngulfat iniciativa e lirë ekonomike. Prandaj, sot jemi në Malishevë për të dhënë lajmin e madh: Ne po kthehemi të bashkuar dhe me fitore”, ka thënë Veseli.

I pari i PDK-së ka thënë se PDK-ja do ua kthejë komunën qytetarëve të Malishevës.

“Mursel Gashi do të jetë kryetari i të gjithëve pa dallime partiake. Do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë. Askush nuk do të ndihet i rrezikuar në vendin e punës për shkak të bindjeve politike. Ne nuk do të largojmë njerëz nga puna, por do të hapim vende të reja të punës për të rinjtë e të rejat e Malishevës”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se Malisheva ka potencial të madh për zhvillim ekonomik, por deri më tani i ka munguar lidershipi që ka dije dhe guxim për të marrë vendime.

“Vendimet për Malishevën vijnë me Partinë Demokratike të Kosovës. Ndryshimi në Malishevë vjen me Partinë Demokratike të Kosovës. Vjen me Mursel Gashin kryetar”, ka thënë ai.

Lideri i PDK-së ka premtuar se do ta ndërtojnë edhe Parkun Modern të Bizneseve në Malishevë dhe do t’i rrisin investimet në bujqësi.

“Pikërisht për këtë, ne kemi marrë vendim që njeriu i juaj, njeriu që ka punuar aq shumë për qytetarët e Malishevës, Isni Kilaj, të jetë pjesë vendimmarrëse në Ministrinë e Bujqësisë”, ka thënë Veseli.

 Kreu i PDK-së ka kërkuar mbështetje për Mursel Gashin për Kryetar të Malishevës, duke thënë se vota për të ia garanton perspektivën ekonomike Malishevës.

 

Të ngjashme