Veseli: Mustafa e kishte bllokuar vendimmarrjen

Prishtinë | 11 Maj 2017 | 14:39 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka folur për herë të parë para medieve, pas prishjes së koalicionit me Lidhjen Demokratike të Isa Mustafës.

Veseli tha se qeveria e udhëhequr nga Mustafa ishte bllokuar në vendimmarje. “Andaj e pamë të arsyeshme ta dëgjojmë vullnetin e qytetarëve”.

Kryetari në detyrë i Kuvendit i bëri komentet gatë një vizite në njërën nga çerdhet e kryeqytetit, ku shoqërohej nga e sapoaderuara në PDK, Arbana Xharra.

“Nga dje Kosova merr një rrugëtim të ri. Kam menduar që më e mira që mund të bëj të mos mendoj vetëm për veten, por dhe për qytetarët. Duke parë dëshirën e tyre për ndryshim dhe se qeverisja e udhëhequr nga Mustafa nuk e intensifikonte përpjekjen për vendimmarrje, e pamë të arsyeshme ta dëgjojmë vullnetin e qytetarëve. Tani hapet perspektiva e re”, tha Veseli, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, ka të atillë që synojnë të shembin gjithçka që është ndërtuar në Kosovë. “Në këto rrethana PDK është e gatshme të marrë përgjegjësi, e bindur se vendi mund të ecë përpara”, u shpreh kreu i Partisë Demokratike.

Investimi më i garantuar është në edukimin e fëmijëve

Ish-gazetarja Arbana Xharra, e cila e shoqëronte Veselin në vizitën në çerdhen “Mollëkuqja” në Prishtinë, foli për rëndësinë e çerdheve për edukimin e fëmijëve.

“Kopshti ka shumë rëndësi, se në duar të kujt i lënë fëmijët. Duhet të merreni seriozisht me fëmijët”, është shprehur ajo.

Kurse, Veseli theksoi se pa fuqizimin e grave dhe të rinjve nuk mund të ketë zhvillim të fuqishëm ekonomik në Kosovë.

“Jam në një ambient të veçantë si baba i katër fëmijëve të cilët kanë qenë në çerdhe. Institucioni parashkollor është i rëndësishëm. Investimi më i garantuar është në edukimin e fëmijëve”, tha Veseli, duke shtuar se vendi duhet të përgatisë fëmijë që në të ardhmen do të përballen me sfidat e konkurrencës globale.

Të ngjashme