Veseli: Me Parkun e Biznesit krijojmë rreth 1 mijë vende pune për kamenicasit

Kamenicë | 13 Tet 2017 | 16:09 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, në tubimin elektoral në Kamenicë ka thënë se PDK-në edhe pak ditë e ndajnë nga fitorja e madhe në shumicën e komunave.

Veseli ka thënë se PDK-ja do të fitojë, sepse ka kandidatët më të zotë për tu dalë ballë sfidave dhe nevojave të qytetarëve.

“Ne do të fitojmë se kemi vizion, guxim dhe afërsi me qytetarin. Ne do të fitojmë se jemi shpresa e vetme për zhvillimin e Kosovës. Më 22 tetor në Kamenicë, numri 94 do të jetë numri i fitores. Më 22 tetor Kamenica do ndihet krenare me kryetarin e saj të ri, Kujtim Gashin. Bashkë me Kujtimin Gashin kryetar, ne kemi marrë një vendim të madh për Kamenicën: Ndërtimin e Pendës së Ujit në fshatin Kremenatë, për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë problemin e ujit të pijes në Komunën e Kamenicës”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se ky është një projekt i madh, porse tani kanë një plan të detajuar për fondet dhe zbatimin e tij.

“Kamenica ka nevojë për një shkollë profesionale, ku të rinjtë do të aftësohen në profesione që u sigurojnë vetëpunësim dhe krijim të vendeve të reja të punës. Është zotimi im dhe i kryetarit Kujtim Gashi, se Kamenicën do ta bëjmë me shkollë profesionale, ashtu sic i kemi ndërtuar në shumë komuna ku ka qeverisë Partia Demokratike e Kosovës. Krahas kësaj do të ndërtojmë Parkun e Biznesit për sipërmarrësit e Kamenicës, Qendrën Rinore për Inovacion, Shkollën e re fillore në qendër të Kamenicës”, ka thënë Veseli.

Bashkë me kandidatin për Kryetar të Kamenicës, Kujtim Gashi, Veseli është zotuar se do të ndërtojnë edhe rrugën me katër korsi për ta lidhur Kamenicën me autostradën Prishtinë- Gjilan-Dheu i Bardhë.

Ndërsa, kandidati i PDK-së për Kryetar të Kamenicës, Kujtim Gashi, ka thënë se pas ndryshimeve të deritashme që qeverisja e PDK-së i ka bërë në Kamenicë, tash do e hapin një kapitull të ri që Kamenicën e bën qytet më të zhvilluar, më me shumë potencial për rininë dhe një qendër e Kosovës që ka vëmendje edhe nga komunat tjera.

“Diaspora jonë e mrekullueshme, e cila përbëhet nga familjarët e secilës familje të Komunës së Kamenicës, do të jenë gjithmonë prioritet dhe do tu ofrojmë të gjitha kushtet dhe mundësitë, që ata të investojnë në fusha të ndryshme të ekonomisë në komunën tonë”, ka thënë Gashi.

Ai ka premtuar se brenda vitit të parë do të dyfishojë numrin e mjekëve, duke ofruar shërbime të shpejta dhe cilësore për të gjithë qytetarët e Komunës së Kamenicës.

“Qysh në vitin e parë të qeverisjes unë i siguroj qytetarët e Kamenicës se do të nisim ndërtimin e shkollës së re “Fan Stilian Noli” dhe do të ndërtojmë një shkollë të re fillore në lagjen “Iliria”. Po ashtu, do të hapim çerdhe në fshatin Roganë, Karaçevë, Hogosht dhe në lagjen Malësia, në mënyrë që fëmijët të përfshihen qysh në moshën e re në sistemin arsimor”, ka premtuar Gashi.

Ai ka premtuar edhe themelimin e teatrit amatorë të qytetit, funksionalizimin e kinemasë së qytetit dhe përkrahje për klubet e futbollit, klubin e atletikës dhe klubet tjera të sporteve.

Gashi ka thënë se e ka siguruar mbështetjen e plotë të lidershipit të PDK-së për të nisur qysh vitin e ardhshëm funksionalizimin e Parkut të Biznesit në lokacionin mes të fshatrave Topanicë-Bllatë-Domaroc.

Ky park i biznesit, sipas tij, do të jetë potenciali më i mirë për tërheqjen e investitorëve dhe për hapjen e rreth 1000 vendeve të reja të punës.

Të ngjashme