Veseli: PDK-ja e ka platformën më të mirë për Vushtrrinë

Vushtrri | 14 Sht 2017 | 17:39 | Nga

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar në Vushtrri kandidatin për Kryetar të kësaj Komune, Ferit Idrizi, kandidatët për këshilltarë të Kuvendit Komunal, si dhe udhëheqësit e degës, ku kanë diskutuar për platformën qeverisëse të PDK-së për Vushtrrinë në katër vjetët e ardhshëm.

Kreu i PDK-së tha se qytetarët e Komunës së Vushtrrisë do ta mbështesin platformën qeverisëse të PDK-së dhe kandidatit të saj për Kryetar Komune, Ferit Idrizi, i cili ka përvojën e duhur për ta udhëhequr këtë komunë.

Ai ftoi të gjithë kandidatët për këshilltarë të Kuvendit Komunal që të dalin në çdo lokalitet dhe ta shpalosin vizionin e Partisë Demokratike të Kosovës për katër vjetët e ardhshëm, pasi, siç tha ai, vizioni dhe platforma e PDK-së është më e mira dhe më e sigurta për zhvillimin e Vushtrrisë.

“Asnjë subjekt tjetër politik nuk mund të realizojë projekte kapitale për të mirën e qytetarëve të Komunës së Vushtrrisë siç mundet Partia Demokratike e Kosovës. Ne kemi vizionin qeverisës për ta zhvilluar edhe më shumë Vushtrrinë dhe për të hapur perspektivë zhvillimore që garanton hapjen e vendeve të reja të punës për ndërmarrësit e rinj të Komunës së Vushtrrisë”, ka thënë Veseli.

Nga ana e tij, kandidati për Kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se në koordinim me strukturat e Partisë Demokratike dhe në bashkëpunim me ekspertë të fushave të ndryshme kanë hartuar programin qeverisës për katër vjetët e ardhshëm, i cili garanton zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe hapjen e perspektives për vende të reja pune për qytetarët e Vushtrrisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme