Veseli: Secili qytetar po e kërkon ndryshimin në Pejë

Pejë | 25 Sht 2017 | 11:25 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga kandidatja për Kryetare të Pejës, Sabiha Shala, kanë takuar përfaqësues të bizneseve, juristë, arkitektë, mjekë dhe qytetarë të Pejës, para të cilëve kanë shpalosur vizionin qeverisës për katër vitet e ardhshme në Komunën e Pejës.

Kryeparlamentari Veseli ka thënë se kandidatja e PDK-së do të jetë fituese në Pejë, sepse “secili qytetar po e kërkon ndryshimin në Pejë”.

“Sabiha Shalën në krye të Komunës së Pejës e duan edhe ndërmarrësit, profesorët, juristët, inxhinierët dhe arkitektët e këtij qyteti. Këtë ma konfirmuan edhe mua, në një mëngjes pune që kishim. E duan Kryetare të Pejës, sepse secili qytetar e do ndryshimin në Pejë”, ka shkruar Veseli, në faqen e tij në “Facebook”.

Kreu i PDK-së i ka siguruar ndërmarrësit pejanë se kandidatja Sabiha Shala do të ketë përkrahje të plotë nga institucionet qendrore për realizimin e projekteve kapitale në Komunën e Pejës, si dhe për hapjen e vendeve të reja të punës për të rinjtë.

“Të gjitha komunat që do të udhëhiqen nga PDK, do t’i përkrahin me bursa të plota të gjithë studentët që arrijnë notën mesatare mbi 8 e më lartë. Po ashtu, studentët do të inkuadrohen në praktikë pune në fushat e studimit, qoftë në institucione, qoftë në ndërmarrje private”, ka thënë ai.

Duke shpalosur platformën qeverisëse, Veseli ka thënë se programi qeverisës shëndetësor që do të nisë së zbatuari shumë shpejt, siguron se nga janari 2018 të mos ketë asnjë mjekë të papunë në Kosovë.

Lideri i PDK-së po ashtu ka folur edhe për reformat që do të nisin në shëndetësi.

“Shëndetësia është në prioritet të plotë dhe reformat rrënjësore do të nisin shumë shpejt. Do të rrisim mirëqenien e mjekëve dhe specialistëve, ndërsa nuk do të ketë më mjekë të papunë nëpër Komunat e Kosovës”, ka thënë Veseli.

Ai ftoi qytetarët e Pejës që ta mbështesin dhe votojnë Sabiha Shalën për Kryetare të Pejës, pasi siç tha ai, ajo do të jetë forca e ndryshimit për Pejën dhe do të hapë perspektivë zhvillimore për qytetin e ndërmarrësisë.

Kandidatja për Kryetare të Pejës, Sabiha Shala, theksoi se me ndihmën e lidershipit qendror të PDK-së do të transformojë Pejën në një qytet të zhvilluar dhe me perspektivë të sigurt për qytetarët.

Kryetari Veseli dhe kandidatja Sabiha Shala, pas takimit të mëngjesit kanë vizituar edhe biznese të vogla në lagje të ndryshme të Pejës, për të shpalosur platformën e PDK-së për Pejën.

Të ngjashme