Veseli uron kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë

Prishtinë | 20 Qer 2018 | 19:34 | Nga

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka uruar kryetarin e Kuvendit të Maqedinisë, Talat Xhaferi, për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë lidhur me emrin.

“Ratifikimi i marrëveshjes për emrin, nga parlamenti i Maqedonisë sot, është një arritje e madhe për paqen në Ballkan, pasi i jep fund një konflikti shumëvjeçar dhe hap një kapitull të ri të mirëkuptimit dhe fqinjësisë së mirë me Greqinë”,  thuhet në urimin e kryeparlamentarit Veseli, transmeton Ekonomia Online.

Veseli thotë se është krenar me shqiptarët e Maqedonisë, të cilët sipas tij, kanë luajtur rol konstruktiv.

“I përcjell urimet më të mira homologut tim z. Talat Xhaferri, si dhe deputetëve që sot me votën e tyre zhbllokuan rrugën e anëtarësimit në NATO dhe BE të këtij vendi”.

“Jam krenar e mirënjohës për bashkëkombasit tanë që jetojnë në këtë shtet, të cilët kanë luajtur një rol konstruktiv dhe kanë qenë gjithmonë mbështetësit më të zellshëm të integrimit Euro-Atlantik”.

Të ngjashme