VV: Tërheqja e nënshkrimeve u bë pas presionit të Veselit

Prishtinë | 16 Nën 2016 | 13:17 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë në mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Deputeti Glauk Konjufca, në një konferencë për media, ka thënë se tërheqja e nënshkrimeve nga deputetët po bëhet pas presionit që po u bënë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, transmeton Ekonomia Online.

Konjufca ka potencuar se rasti i vdekjes së Astritit është ndër më të manipuluarit që nga paslufta, andaj shtoi se ata që nuk e duan seancën e jashtëzakonshme janë përgjegjës për vdekjen e tij.

Ai tha se nënshkrimin e tij e ka tërhequr edhe deputeti nga minoritetet, Danush Ademi.

Vetëvendosje bën të ditur se ka arritur të mbledh 39 nënshkrime, ndërsa për të thirrur seancën e jashtëzakonshme duhen 40 nënshkrime të deputetëve.

Kujtojmë se dje edhe deputeti i PDK-së, Bislim Zogaj, tërhoqi nënshkrimin e tij, gjë që pamundësoi mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

VV: Kuvendi nuk po ka guxim të diskutojë për vdekjen e Astrit Deharit

glauk-konjufca

Në një konferencë për media në ambientet e Kuvendit të Kosovës, Lëvizja VETËVENDOSJE! foli për seancën e jashtëzakonshme për vdekjen e Astrit Deharit, e cila dështoi për shkak të terheqjes së nënshkrimeve nga deputetë të mazhorancës. Deputetët Aida Dërguti, Glauk Konjufca e Mytaher Haskuka deklaruan se këto veprime vijnë si pasojë e trysnisë që po ushtrohet nga dy partitë në qeveri, PDK e LDK.

Shefi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, tha se tërheqja e nënshkrimit nga deputeti i PDK-së, Bislim Zogaj, ishte e planifikuar mirë dhe e koordinuar, pasi që ajo u bë në momentet që po fillonte mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, që të pamundësohej zëvendësimi i nënshkrimit dhe kështu të dështonte paraqitja e kërkesës për seancë. Më pas, z. Konjufca tha që një gjë e tillë ndodhi edhe sot, pasi që kur kërkesa ishte gati për të proceduar ndodhi tërheqja tjetër e nënshkrimit nga deputeti Danush Ademi.

“Ajo prej çka po vuan Kosova më së shumti është politizimi i policisë dhe drejtësisë. Pikërisht për shkak të mënyrës se si janë politizuar burgjet në Kosovë, policia, komponenta e hetuesisë në Policinë e Kosovës, prokurorët që ngrisin raste e akuza me urdhëra politikë siç ishte rasti i Abdyrrahim Islamit, i cili me urdhër politik ka ngritur rastin ndaj gjashtë aktivistëve tanë të akuzuar për terrorizëm”, tha ndër të tjera deputeti Konjufca.

Ai tha se këta njerëz të regjimit, po e ndihmojnë pushtetin ta luftojë opozitën, veçanërisht Lëvizjen VETËVENDOSJE!, kurse ngritja e çështjes së rastit të Astrit Deharit në Parlament tha se nuk është politizim, por ka qëllim ta gjejmë zgjidhjen që këso raste të mos ndodhin më.

“Nëse ne të zgjedhurit e popullit nuk flasim për këtë rast, nëse nuk e kemi guximin të flasim, nuk e di se kush do ta ketë guximin në këtë vend të flasë për Astrit Deharin. Prandaj unë Parlamentin e shoh vendin më të duhur që të diskutojë për këtë gjë”, shtoi Konjufca.

Tutje, ai i quajti banale dhe të gabuara deklaratat se për vdekjen e një 26 vjeçari në një institucion të shtetit duhet të flasë vetëm forenzika, pasi që vdekja e dikujt në burg është shqetësim shoqëror. Si dhe tha që Kadri Veseli është mobilizuar që të pamundësojë këtë seancë, pasi që i frikësohet të vërtetës.

Kurse Nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti, tha se dje qëllimisht nuk është thirrur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, që të shtyhet seanca dhe të këtë mundësi që të ushtrohet presion që deputetë të tjerë të terheqin nënshkrimin, siç ndodhi sot me Danush Ademin.

“Ne kemi nënshkrime të deponuara nga deputetë që ndodhen jashtë vendit, por që nuk po i pranon sekretaria e Kuvendit si valide sepse s’janë të vendosura në fletën e kërkesës, dhe kështu shtyhet pafundësisht seanca sepse duan ta heshtin vdekjen e Astrit Deharit”, theksoi Dërguti.

Ajo i quajti arsyetimet e deputetëve që thonë se po presin një raport nga hetimet si të paqëndrueshme, duke thënë që deri më tani nuk ka vend që të besohen këto hetime, marrë parasysh deklaratat kontradiktore që janë dhënë nga institucionet përkatëse dhe rrjedhjen e provave në media në kundërshtim me ligjin.

Dërguti po ashtu sqaroi se përmes seancës është synuar të kërkohet hetim i pavarur, kurse tha që sistemi i drejtësisë ka dështuar plotësisht, si dhe përmendi që Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut nuk ka lejuar as nxjerrjen e një deklarate.

E për këtë deklaratë foli anëtari i këtij komisioni, Mytaher Haskuka, tha se nga rradhët e deputetëve e mazhorancës që janë pjesë e këtij komisioni është treguar mungesë e theksuar e gatishmërisë që ta shprehin brengën e tyre për vdekjen e një të riut në burg përmes një deklarate.

“Deputetët nga pozita nuk janë duke i kryer detyrat e tyre siç kërkon Kushtetuta e Kosovës”, përfundoi Haskuka.

Të ngjashme