VV e Nisma kërkojnë dorëheqjen e ambasadores Lama

Prishtinë | 18 Jan 2017 | 13:07 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Puhie Demaku, ka kërkuar dorëheqjen e ambasadores së Kosovës në Itali, Alma Lamës, pasi, sipas Demakut, ajo kohë pas kohe poston statuse fyese në rrjetet sociale.

“Alma Lama kohë pas kohe poston statuse që i ofendon kolegët, por rasti i fundit është shqetësues”, ka thënë Demaku, duke iu referuar fyerjes që ia ka bërë një gazetari.

Ajo ka thënë se duhet ta ftojnë ministrin e Punëve të Jashtme për të raportuar për shërbimin e jashtëm të Kosovës.

Ndërsa anëtari i këtij komisioni nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, ka thënë se ambasadorja Alma Lama ka qëndrime që nuk i bëjnë nder vendit. Sipas tij, ajo ka ulë nivelin e diplomacisë.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për Punë të jashtme nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica, ka thënë se fyerjet nuk duhen të jenë prezentë tek personat me përgjegjësi publike e sidomos ndaj gazetarëve.

Ai tha se kompetencat e këtij Komisioni janë që të intervistojnë kandidatët e rekomanduar nga MPJ dhe pastaj i dërgojnë raport Presidentit.

“Kjo është kompetenca jonë. MPJ e ka krijuar një komision disiplinor rreth rastit Lama dhe duhet të presim këtë komision. Ne si komision duhet vetëm të kërkojmë informacion se çka ka ndodhur, sepse nuk ka ndodh që ne të kërkojmë si komision shkarkim të një ambasadori. Megjithatë, darkodohem vetëm që t’i kërkojmë MPJ-së raport se çka ka ndodh me rastin dhe një raportim të tij dhe drejtorit të përgjithshëm të MPJ-së”, shtoi Reçica.

Edhe anëtari i këtij komisioni nga LDK-ja, Ismet Beqiri, ka thënë se asnjëherë nuk e përkrahin askënd që del jashtë kompetencave.

“Në rastin konkret është e qartë se ministria i ka rregullat dhe duhet të respektohen që të mos ketë praktika të tilla në të ardhmen”, është shprehur Beqiri.

Kurse anëtarja e Komisionit për Punë të jashtme nga PDK-ja, Blerta Deliu-Kodra, statusin e ambasadores Lama e ka cilësuar një lëshim, i cili nuk duhet të përsëritet.

“Dikur unë bashkë me Alma Lamën kemi dal kundër gjuhës së tillë. Mendoj se është një lëshim i zonjës Lama. Ka rregulla dhe sanksione. Dhe qëndrimi i saj nuk përfaqëson qëndrimin e institucioneve të Kosovës. Pra përfundimi, t’i kërkojmë MPJ-së raport se çka ka ndodh me rastin dhe një raportim të tij dhe drejtorit të përgjithshëm të MPJ për shërbimin e jashtëm të Kosovës. Dhe jo atë çka kërkoi Puhia, t’i kërkojmë shkarkimin”, ka shtuar ajo.

Komisioni përkrah marrëveshjen për fondin e Ballkanit Perëndimor

Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, ka shqyrtuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e fondit të Ballkanit Perëndimor.

Kryetari i këtij komisioni, Elmi Reçica, ka deklaruar së Serbia është duke e penguar Kosovën në forume ndërkombëtare. “Serbia është një shtet që po na pengon dhe do të na pengojë.

Ne duhet të jemi aty ku diskutohet për Ballkanin Perëndimor. Në kuadër të saj ne të jemi aty, pastaj besoj se do t’ia dalim bashkërisht”, ka deklaruar Reçica.

Ndërsa, anëtari i këtij komisioni nga LDK-ja, Ismet Beqiri, ka deklaruar se janë duke votuar për projektligjin në fjalë dhe jo për fusnotë. “Ne jemi shtet i pranuar nga më shumë se 100 shtete dhe nuk na kanë pranuar me fusnotë, por abstenimi për të qenë në mekanizma të ndryshme nuk është rrugë e duhur”, ka theksuar Beqiri.

Në anën tjetër, anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar së përgjigjja më e mirë që i është dhënë Serbisë janë zhvillimet e fundit që është bërë nga gatishmëria e institucioneve të vendit për ta mbrojtur sovranitetin në veri.

“Ky mekanizëm e ka bazën në Shqipëri dhe mendoj se duhet ta diskutojmë fusnotën sepse është shqetësim”, ka thënë ajo.

Përfaqësuesit e opozitës: Puhie Demaku VV, Pal Lekaj AAK dhe Zafir Berisha, përfaqësues i NISMA-s, u shprehën kundër këtij Projektligji, sepse, sipas tyre, Kosova në takimet e parapara sipas këtij projektligji pranon që fusnota të figurojë në të gjitha takimet që do të mbahen me atë rast.

Ata vlerësuan se përkrahja e këtij Projektligji nënkupton heqje dorë nga identiteti ynë i plotë shtetëror gjatë takimeve ndërkombëtare, andaj edhe votuan kundër Projektligjit.

Anëtari i këtij komisioni nga AAK-ja, Pal Lekaj, duke iu referuar fondit për Ballkanin Perëndimor, ka thënë së meqë ministrat e kanë lëshuar takimin për shkak te fusnotës pse ta legjitimojnë këtë fond. “Është absurde të shkojmë në një vend që s’na njeh si shtet dhe ministrat e lëshojnë takimin. Kjo është kundërthënëse me vetveten”, ka deklaruar Lekaj.

Krejt në fund, anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, ka thënë së ka besuar që koleget nga pozita kanë ndryshuar qasje ndaj Serbisë pas zhvillimeve të fundit.

Pas kësaj komisioni me shumicë votash përkrahu Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e fondit të Ballkanit Perëndimor.

Të ngjashme