Vetëvendosje kërkon dorëheqjen e Thaçit dhe Veselit

Prishtinë | 19 Gus 2016 | 15:01 | Nga Fitore Zena Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lidhur me përgjimet e publikuara që përfshihen zyrtarë të lartë të PDK-së, sot Lëvizja Vetëvendosje mbajti konferencë për media, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme siç thonë ata të kokave të krimit, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Deputetja dhe anëtarja e Kryesisë së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, dhe anëtari i Kryesisë Ylli Hoxha, e quajtën të pamjaftueshme dorëheqjen e Adem Grabovcit nga shefi i grupit parlamentar të PDK-së, duke kërkuar dorëheqje të tij nga çdo post publik, si dhe dorëheqje të ‘shefave’ të tij, Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

Kapjen e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike, deputetja Haxhiu e quajti aktivitet kriminal, që sipas saj, këtij pushteti i shërben jo vetëm për punësime familjare e partiake, por edhe për të kontrolluar shtetin dhe paranë publike.

“Përmes punësimit të militantëve dhe familjarëve në polici e gjyqësi, këta kriminelë e kanë marrë kontrollin mbi shtetin. Kjo ua mundëson atyre që të kryejnë krime pa rrezikun që do të ndëshkohen. Në anën tjetër përmes këtyre mekanizmave ata vështirësojnë opozitarizmin duke arrestuar, burgosur e kërcënuar kundërshtarët politikë”, tha Haxhiu.

Haxhiu po ashtu përmendi raste, kur të punësuar nga PDK-ja në pozicione të rëndësishme kanë kryer vepra penale, duke rikujtuar falsifikimet e dokumenteve nga Arbenita Pajaziti në një rast të madh korrupsioni dhe aferat e Sali Mekajt.

“Këto përgjime po dëshmojnë që në Kosovë ndërmarrjet publike shërbejnë për të pasuruar një grup të vogël kriminelësh që janë në krye të shtetit, kurse sistemi shtetëror, veçanërisht policia, prokuroria dhe gjykatat shërbejnë për të mbrojtur këtë organizim kriminal”, tha Haxhiu.

Ndërsa, Ylli Hoxha deklaroi se pas përgjimeve, Adem Grabovci fillimisht tha se “s’ka bërë asgjë keq”, “thjeshtë paska punësuar njerëz, por kur presioni publik u rrit dhe nuk u ndal, u detyrua të pranojë fajin”.

“Adem Grabovci duhet të japë dorëheqje nga të gjitha funksionet publike dhe partiake si dhe duhet të ndiqet penalisht. Adem Grabovci e kishte pranuar edhe vetë në njërin nga përgjimet që ai është thjeshtë ekzekutues i planeve të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Asgjë në këtë aktivitet kriminal të ekzekutuar nga Adem Grabovci, nuk ka ndodhur pa planifikimin dhe dijeninë e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Ju e keni dëgjuar edhe në përgjime se si ai për të justifikuar veprimet e veta vazhdimisht u referohet bisedave me Thaçin dhe Veselin”, tha Hoxha.

Ai theksoi se “dorëheqja e dy kokave të krimit është e domosdoshme në qoftë se duam një shtet ku do të ketë drejtësi e demokraci”.

Gjithashu kërkoi mobilizim qytetar e shoqëror që do të detyronte Hashim Thaçin e Kadri Veselin të dorëhiqeshin.

Të ngjashme