Vetëvendosje nuk do ta votojë Veselin për kryetar të Kuvendit

Prishtinë | 21 Kor 2017 | 13:06 | Nga

Koalicioni PAN, si koalicion fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit ka të drejtën që në seancën e parë konstituive të Kuvendit të Kosovës, të propozojë kandidatin për kryetar të Parlamentit.

Ashtu siç edhe po flitet nëpër media, kandidati i mundshëm për kryetar Kuvendi nga koalicioni PAN do të jetë Kadri Veseli.

Në lidhje me këtë, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Kadri Veseli është figurë përçarëse dhe jo i denjë për Kryeparlamentar.

Ajo bëri të ditur që kryetari i Kuvendit duhet të jetë një figurë që përfaqëson unitet.

Sipas saj, Partia Demokratike e Kosovës duhet të mendoj një kandidat të denjë për Kryeparlamentar, e jo Veselin.

”Nuk do ta votojmë një figurë siç është Kadri Veseli për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Kryetari i Kuvendit, duhet të jetë një figurë që përfaqëson unitet dhe jo një figurë përçarëse siç është Veseli”,ka thënë Haxhiu.

Ndryshe, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit konsultativ që do të mbahet të hënën me partitë politike pritet që të thërras mbajtjen e seancës së parë konstituive në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në bazë të nenit 7 të Rregullores së Kuvendit, Presidenti i vendit ka afat 30 ditë nga shpallja e rezultateve që të thërras mbledhjen konstituive, përkatësisht deri më 10 gusht.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme