Vetëvendosje: Qeveria harron Kastriotin, qyteti po dergjet në pluhur e tym

Prishtinë | 11 Tet 2016 | 17:59 | Nga

Në komunën e Kastriotit gjendja e ambientit është shumë e keqe, kurse qytetarët në këtë komunë po ndjehen të pafuqishëm dhe të pambrojtur nga Institucionet qendrore dhe ato lokale, njofton kumtesa partiake nga Kastrioti.

Qytetaret e Kastriotit në vazhdimësi janë duke u ballafaquar me ndotje të ajrit, e cila i tejkalon të gjitha standardet. Nëse shikojmë një qytet industrial në Bashkimin Evropian dhe bëjmë krahasimin në raport me ndotjen e ajrit, del se ajri në komunën e Kastriotit është shumë herë më i ndotur. Kastrioti është një prej qyteteve më të ndotura në Evropë. Dhe ky do të duhej të ishte alarm për Qeverinë dhe Kryetarin e Komunës në Kastriot, e jo të lejohet vazhdimi i kësaj situate.

Përveç ndotjes së ajrit të shkaktuar nga Korporata Energjetike e Kosovës dhe deponitë e stacionuara në fshatrat e Kastriotit, edhe toka bujqësore është e kontaminuar, mungon uji i pijshëm në dy fshatra. Në të gjitha fshatrat afër KEK-ut dhe aty ku gjenden depozitë, jeta normale është pothuajse e pamundur dhe kjo është treguesi më i mirë se Qeveria ka shndërruar komunën e Kastriotit në një zonë ku lejohet të deponohet gjithçka.

KEK-u dhe deponitë janë shndërruar në makth për qytetarët e komunës së Kastriotit në përgjithësi, pasi që në pamundësi të ndryshimit të situatës, banorët e fshatrave janë viktimë e ndotjeve dhe gazrave të cilët mbizotërojnë ajrin 24 orë. Sëmundjet kancerogjene në rritje, problemet me zemrën, frymarrjen, sëmundje të syve, sëmundjet kardio-vaskulare, janë vetëm disa pasoja që vijnë nga Korporata Energjetike e Kosovës dhe deponitë.

Banorët e Kastriotit përveç se janë pjesë e një hapësirë të përbashkët gjeografike me KEK-un, ata nuk kanë asnjë përfitim minimale social apo natyror, pasi që në KEK u punësuan dhe punësohen militantë të qeverive, joprofesionistë, e që shumica nuk janë as banorë të Kastriotit, por vijnë nga zonat e tjera për shkak të lidhjeve familjare e klanore me qeveritarët, thotë ndër të tjera kumtesa.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme