Viets: Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbetet kusht për liberalizim

Prishtinë | 10 Kor 2017 | 11:55 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Misioni i OSBE-së dhe Qeveria gjermane kanë lansuar projektin e dytë për fuqizimin e kapacitetit të institucioneve të Kosovës në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

Ambasadorja gjermane Angelika Viets tha se luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet kusht për liberalizimin e vizave, raporton Ekonomia Online.

“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet një nga kushtet për liberalizimin e vizave. Luftimi i korrupsionit kërkon vendosmëri të palëkundur. Kjo nuk është detyrë e lehtë, sepse këto raste mund të përfshijnë persona me ndikim të lartë politik”, ka thënë ajo.

“Duhet t’i ndjekim rastet duke u bazuar në prova të forta, pavarësisht se kush është i përfshirë. Kjo kërkon bashkëpunim të mirë ndërinstitucional, vullnet politik dhe guxim. Duhet të ketë vullnet politik dhe kemi kënaqësi ta financojmë këtë projekt dhe për këtë ne jemi të vendosur. Tani institucionet duhet të jenë vigjilente dhe këmbëngulëse dhe të tregojnë që askush nuk qëndron mbi ligjin”, ka potencuar ambasadorja Viets.

Braathu: Pjesë e luftimit të korrupsionit edhe konfiskimi i pasurisë

Ndërsa, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se “siç e tha ambasadorja ky është një kriter i mbetur për ta lejuar liberalizimin e vizave”.

Ai ka theksuar se korrupsioni i niveli të lartë identifikohet si një çështje shqetësuese dhe është prioritet kyç për t’u bërë dhe shtoi se janë të përkushtuar që t’i zhvillojnë kapacitetet.

“Është me rëndësi që ligjet të zbatohen, por këtu zbatimi i tyre nuk është në nivelin e duhur. Një element kyç për luftimin e korrupsionit është sekuestrimi i pasurive të cilat janë përvetësuar nga veprimtaritë penale. Zbatimi i këtij ligji nuk po bëhet dhe duhet të zbatohet”, ka thënë Braathu.

Rexha: Policia e përkushtuar për luftimin e korrupsionit

Zv.drejtori i përgjithshëm Policisë së Kosovës, Naim Rexha, u zotua që të vazhdojnë tutje bashkëpunimin e sinqertë me të gjitha agjencitë të cilat kanë obligime ligjore për luftimin e kësaj dukurie.

“Policia do të ketë fokus primar pastrimin e vetvetes nga të gjitha elementet korruptive duke respektuar, promovuar të gjitha të drejtat themelore të njeriut. Jam i bindur se vetëm me mënyrë të sinqertë të orientuar me luftim të drejtpërdrejtë, ndryshe do të ngelim në shkallën e tanishme dhe gjithnjë kemi synim të rritjes së besueshmërisë së qytetarëve tanë”, tha Rexha.

Hoxha: Prokuroria ka ngritur aktakuza të nivelit të lartë

Ndërsa, Sylë Hoxha nga Prokuroria Speciale tha se projekte të tilla i kanë hapur rrugë luftimit të këtyre dukurive.

Ai shtoi se kohëve të fundit janë rezultate të prekshme në këtë drejtim, por presin një bashkëpunim edhe më të mirë me të gjitha agjencitë.

“Ne si Prokurori Speciale kemi ngritur aktakuza në rastin Esat Tahirit, Naser Osmanit; rastin e Xhavit Dakajt, kemi rastin e prokurores Vahide Badivuku, Ilir Tolaj; rastin Kujtim Bucaliut, Enver Hasanit; rastin e kryetarit të komunës së Kllokotit dhe kemi raste edhe të disa kryetarëve të komunave…”

“Kemi korr rezultate me ATK-në, Doganën dhe të gjitha segmentet për zbatimin e ligjit, dhe këto rezultate konsideroj që kanë ndikuar dhe do të ndikojnë në kthimin e besimit të qytetarëve”, tha Hoxha.

Havolli: Kemi shënuar një progres por që nuk mjafton

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, tha se Agjencia është duke e rishikuar kornizën ligjore ku bashkërisht me institucione të tjera do të hartojnë ligjin, në mënyrë që AKK-ja të ketë një rol pak më të madh.

“Siç e dini në të gjitha sondazhet Kosova ka nivel të lartë të korrupsionit dhe përkundër përpjekjeve, ne prapë nuk jemi shumë funksional sa i përket luftimit të korrupsionit, por ne kemi shënuar një progres por që nuk mjafton. Është fakt që kemi zyrtarë të lartë publikë që pasuria çdo ditë ju rritet dhe në mënyrë të pashpjegueshme, dhe jemi ne ata që duhet ta kontrollojmë prejardhjen e pasurisë”, ka theksuar Havolli.

Të ngjashme