Vjosa Osmani merr vota të shumta edhe në Llap

Prishtinë | 15 Qer 2017 | 11:56 | Nga

Elektorati i LDK-së në zgjedhjet e 11 qershorit duket se gjithandej i ka ndëshkuar figurat e vjetra politike. E këtë më së miri e dëshmojnë rezultatet preliminare nga shtabet zgjedhore.

Në listën e koalicionit LDK-AKR-Alternativa në zgjedhjet e së dielës në Podujevë del të jetë më i votuari bartësi i listës dhe i nominuari për kryeministër Avdullah Hoti me 7.886 vota. Pas tij vijnë kandidatët e propozuar nga dega e LDK-së në Podujevë, Fidan Rekaliu me 5.973 vota, Vezir Januzi me 4.234 vota dhe Liman Zeqiri me 3.826 vota.

Kryetari i FR-së së LDK-së, Fidan Rekaliu, me votat e grumbulluara edhe në komuna të tjera konsiderohet se do të arrijë numrin e mjaftueshëm të votave për të fituar mandatin e deputetit, por e njëjta nuk mund të thuhet edhe për dy kandidatët e tjerë nga Podujeva, raporton Telegrafi.

Ndërsa, ajo që bie në sy është numri i vogël i votave të fituara nga figurat e njohura, që janë në struktura udhëheqëse të LDK-së, e që vijnë nga Llapi.

Deputeti i të gjitha legjislaturave të deritashme, Sabri Hamiti, ka fituar gjithsej 500 vota, kurse Skënder Hyseni, 883 vota. Ndërsa pothuajse trefishin e votave të Hamitit dhe Hysenit e ka fituar Vjosa Osmani, me gjithsej 3.402 vota.

Numër të konsiderueshëm votash në Podujevë kanë fituar edhe prurjet e reja, Lumir Abdixhiku (1.726) dhe Driton Selmanaj (1.940).

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, LDK-ja është parti fituese në Podujevë, me 12.528 vota të fituara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme