Votimi i buxhetit për vitin 2017, PDK ende e pavendosur

Prishtinë | 17 Dhj 2016 | 09:10 | Nga

Javën e ardhshme pritet të votohet buxheti për vitin e ardhshëm, megjithatë ende nuk është e sigurt nëse Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do ta votojë.

Projektbuxheti për vitin 2017 pritet të votohet të enjten e ardhshme, megjithëse ende nuk është e sigurt nëse partnerët e mëdhenj të koalicionit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë arritur konsensus për këtë projektbuxhet.

Përfaqësuesit e PDK-së bëjnë të ditur se nëse nuk merren parasysh vërejtjet e këtij subjekti, të cilat i kanë paraqitur javë më parë, ata nuk do ta votojnë atë ligj. Ndërkohë subjektet opozitare thonë se nuk do ta votojnë buxhetin për vitin e ardhshëm pasi, sipas, tyre ky është një buxhet elektoral dhe se nuk mundëson zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës, shkruan “Zëri”.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, ka thënë se projektbuxheti ka kaluar procedurën standarde në Komision dhe se pas debatit është votuar nga partnerët e koalicionit.

Deputeti i LDK-së ka thënë se pret që pas votimit në lexim të parë të bëhen ndryshimet e nevojshme.

“Është e kuptueshme që edhe procesi zgjedhor në Drenas ka ndikuar që të mos ketë seanca për shkak të angazhimeve atje. Besoj që javën e ardhshme do të mblidhet Kryesia dhe do ta caktojë seancën, në të cilën do të shqyrtohet në leximin e parë buxheti, pastaj Komisioni do të ketë kohë të mjaftueshme t’i përgatitë amendamentet dhe ta kalojë edhe në leximin e dytë para Vitit të Ri”, ka deklaruar Osmani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme