Vuçiq: Do të shkëmbejmë informacione për vrasjen e Ivanoviqit

Prishtinë | 20 Jan 2018 | 14:00 | Nga

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka porositur në Kosovë se Serbia do të japë gjithçka nga vetja për ta ruajtur paqen, se do të bëjë gjithçka që mospajtimet shumëshekullore me shqiptarët të zgjidhen, që të sigurohet paqe dhe siguri e qëndrueshme për të gjitha familjet serbe dhe shqiptare.

Ai e ka bërë këtë deklaratë para Manastirit në Banjska, ku edhe e ka nisur vizitën e tij në Kosovë.

Vuçiq i ka porositur serbët e Kosovës se duhet të mbesin dhe mbijetojnë në vatrat e tyre, duke thënë se për këtë do t’i ndihmojë shteti i Serbisë.

“Nuk guxohet që të jemi më pak në territorin, në vendin ku kemi jetuar gjithmonë dhe për këtë arsye, si shtet, do të luftojmë në të gjitha mënyrat”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka theksuar se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë është që të bisedojë me serbët edhe për sigurinë, pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, si dhe për atë se cilat organe ua garantojnë sigurinë.

“Të shohim se si dhe në cilën mënyrë do t’i zhvillojnë hetimet. Ne do të shkëmbejmë informacione, sepse po shoh që po flasin për shkëmbim të informacioneve, edhe pse kemi kërkuar që të marrim pjesë në hetime. Por, do të presim, jo rrëfimet për gazeta, por rezultatet përfundimtare të hetimeve. Të shohim se a do të sjellin hetimet deri te kryerësit e krimit të neveritshëm në Mitrovicë ose jo. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë mjaft gjëra do t’i kemi të qarta”, ka thënë Vuçiq.

i ka shtuar se është e nevojshme gjetja e moduseve të reja që ruajtja e sigurisë dhe paqes së serbëve të bëhet më e qartë.

Vuçiq theksoi se është e rëndësishme edhe gjetja e mekanizmave të rinj në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit në radhët e veta.

Ai ka thënë se Qeveria e Serbisë ka investuar mjaft në renovimin e kishave në Kosovë dhe se do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe më tej. Gjithashtu, ai e ka cilësuar të rëndësishme që të përfundojë projekti i vendbanimit banesor “Lugina e diellit’.

Peshkopi Teodosije, me këtë rast, ka thënë se vizita e Vuçiqit është mjaft e rëndësishme dhe se për serbët në Kosovë është e pamundur mbijetesa pa shtetin e Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë po qëndron për vizitë njëditore. Presidenti serb, me eskortën e tij, ka hyrë në Kosovë, përmes pikës kufitare në Jarinë.

Vizita e Vuçiqit në Kosovë pason katër ditë pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, siç ka paralajmëruar ai, për të biseduar me serbët.

Pas vizitës në Manastirin në Banjska, Vuçiq ka udhëtuar për në Mitrovicën veriore.

Ai ka vendosur kurorë para zyrës së Iniciativës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, aty ku është vrarë lideri i këtij subjekti politik, Oliver Ivanoviq.

Siç është paralajmëruar, në Fakultetin e Shkencave Teknike në Mitrovicën e veriut, Vuçiq aktualisht është duke mbajtur takim të mbyllur me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve të Kosovës.

Ndonëse shumica e qytetarëve serbë në veri nuk kanë qenë të vullnetshëm që ta komentojnë vizitën e presidentit Vuçiq në Kosovë, megjithatë, dy prej tyre, kanë thënë se kjo vizitë është e nevojshme për popullin serb që jeton në Kosovë.

Miodrag Dragosavac nga Mitrovica e veriut ka thënë se përshendet ardhjen e Vuçiqit në Kosovë.

“Është për t’u përshëndetur ardhja e tij për ta ndarë me ne këtë situatë të rëndë, e cila na ka gjetur pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, njërit prej politikanëve më të mirë në këtë hapësirë”, ka thënë Dragosavac.

Miodrag Nedeljkoviq, po ashtu nga Mitrovica veriore, ka thënë se ardhja e Vuçiqit në Kosovë ka qenë e nevojshme.

“Ne i bëjmë thirrje presidentit Aleksandar Vuçiq që të na vizitojë vazhdimisht. Populli është i gëzuar kur dikush i viziton nga Beogradi, nga Qeveria. Këtu, populli jeton shumë rëndë”, ka thënë Nedeljkoviq.

Më pas, është paraparë që Vuçiq të udhëtojë për në pjesën qendrore të Kosovës, në Graçanicë dhe Llapna Sellë, ku do të bisedojë me banorët lokalë.

Siç ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë shefi i operativës i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Zheljko Bojiq, policia do të zbatojë planin operativ të veçantë, me rastin e vizitës së presidentit serb.

Me urdhër të Drejtorisë kryesore të Policisë, policia rajonale e veriut ka hartuar planin operativ për këtë vizitë, për zbatimin e të cilit është paraparë angazhimi i një numri të madh të pjesëtarëve të policisë, ka thënë Bojiq.

Ndonëse më herët ishte paralajmëruar që Vuçiq do të qëndrojë dy ditë në Kosovë, ai do ta përfundojë vizitën të shtunën, pas takimit me qytetarët lokalë në Llapna Sellë.

Kjo është vizita e shtatë e Vuçiqit në Kosovë në pesë vitet e fundit, ndërkaq e para në cilësinë e presidentit të Serbisë. (REL)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme