Vujiçiq: Institucionet e Kosovës nuk i po i kryejnë obligimet ndaj malazezëve, përfshirë demarkacionin

Prishtinë | 24 Sht 2017 | 09:54 | Nga

Kryetari i Shoqatës të Malazezëve në Kosovë, Slobodan M.Vujiçiq, ka kritikuar institucionet udhëheqëse të Kosovës se nuk po i kryejnë obligimet ndaj malazezëve dhe Malit të Zi si shtet, duke përfshirë këtu edhe ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin.

“Me qëllimin më të mirë, si qytetarë lojalë të Kosovës, duam t’ia përkujtojmë Prishtinës zyrtare se që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot, nuk ka arritur të plotësojë në tërësi asnjë nga obligimet e marra dhe premtimet e dhëna ndaj Malit të Zi dhe malazezëve të Kosovës”, thuhet në kumtesën e nënshkruar nga Vujiçiq.

Sipas tij, moskryerja e obligimeve dhe premtimeve ka të bëjë me “ratifikimin e demarkacionit nga Kuvendi i Kosovës, nga e cila edhe ndjeshëm varet edhe e ardhmja jonë dhe dinamika me të cilën do të shkojmë drejt integrimeve euroatlantike”.

“Pastaj kemi premtimet deklarative tash e 10 vjet se malazezët së shpejti do të jenë kategori kushtetuese, edhe pse pranimi ynë kushtetues realisht nuk shihet askund. Dhe në fund, edhe ajo që është lehtë e realizueshme, e kjo është fillimi i implementimit të Strategjisë për integrim dhe afirmim të bashkësisë malazeze dhe hapja e Qendrës zhvillimore, për më shumë se dy vjet nuk ka vullnet as pjekuri politike që të fillohet me realizim”, ka thënë Vujiçiq.

“Apelojmë te Qeveria e sapoformuar dhe tek të gjitha subjektet politike relevante që të tejkalojnë përplasjet e brendshme dhe në një periudhë sa më të afërt të plotësojnë obligimet e marra, jo vetëm ndaj Malit të Zi dhe malazezëve, por edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë kryetari i Shoqatës të Malazezëve të Kosovës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme