VV beson se Visar Korenica do t’ia sjellë zhvillimin Rahovecit

Rahovec | 15 Tet 2017 | 18:01 | Nga

Vetëvendosje sot ka mbajtur tubim zgjedhor në komunën e Rahovecit. Prezentë në këtë tubim ishin kryetari i këtij subjekti, Visar Ymeri, deputetët Albin Kurti e Donika Kadaj, të cilët ftuan qytetarët e Rahovecit të mobilizohen për ndryshime me 22 tetor dhe ta përkrahin kandidatin për kryetar të kësaj komune, Visar Korenica.

Kryetari Visar Ymeri e hapi këtë tubim me fjalën e tij, duke kujtuar kontributin e njerëzve të kësaj komune të dhënë ndër vite për çlirimin e vendit dhe zhvillimin e tij. Ai tha se Rahoveci sikurse edhe shumë komuna të tjera, janë degraduar nga qeverisjet e papërgjegjshme, por u shpreh i bindur se me qeverisjen e Visar Korenicës, kësaj komune do t’i kthehet dinjiteti e shpresa.

“Rahoveci ka potencial te madh bujqësor, por nuk ka bujk që nuk ankohet për mungesë të përkrahjes, e ne e kemi zgjidhjen për bujqësinë. Nga 20 zotimet që i kemi për komunën e Rahovecit, gjashtë të parat janë në dobi të sektorit të bujqësisë. Gjatë qeverisjes së Visar Korenicës, bujqit do të përfitojnë nga punimi i tokës. Mbjellja e tokës do të sjellë përfitime, e jo telashe e humbje. Fillimisht, toka bujqësore do të ruhet e nuk do të shkatërrohet nga ndërtimi. Më pas, bujqit do t’i subvencionojmë me kohë e do t’i trajnojmë në çdo kohë. E në fund, do të ua mundësojmë që t’i shesin produktet e tyre, e të përfitojnë nga to, e ta rrisin mirëqenien e tyre”, tha Ymeri.

“Me 22 tetor, fitorja jonë nuk është vetëm fitore e VETËVENDOSJE!-s. Atë ditë fiton bujku që i ka mbetur toka djerrë ose i janë kalbur rrushi e specat, fiton pacienti i cili nuk gjen shërim nëpër qendrat e mjekësisë familjare, fitojnë nxënësit që ndejkin mësimet të uritur, fitojnë prindërit që sot nuk mund t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe, fitojnë qytetarët e fshatrave që nuk kanë transport për qytet. Me 22 tetor do të fitojnë gjithë qytetarët e Rahovecit”, shtoi tutje ai.

Ndërkaq, deputetja Donika Kadaj foli për përkushtimin që do ta kemi në rast se na jepet besimi për të qeverisur nëpër komunat e Kosovës, duke përmendur si shëmbëlltyrë qeverisjen në Prishtinë.

“Besimi juaj do të jetë përgjegjësi për ne, do të sillemi me përkushtim dhe do të angazhohemi që besimi juaj të përkthehet në shumë punë në shumë përpjekje dhe me shume vullnet të bëjmë ndryshimin aq të nevojshëm i cili do të fillojë këtu nga baza. Në këto kohë të fitoreve të mëdha për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, ne të gjithë bashkë vendosëm të në komunat tona të zgjedhim njerëzit më të mirë të mundëshëm, njerëzit nga të cilët buron vullneti, energjia dhe përkushtimi”, tha pos tjerash në tubimin në Rahovec, deputetja Kadaj.

Deputeti tjetër, Albin Kurti, tha se Kosova ka qenë një vend agrar e industrial, ekonomia jonë ka qenë e bazuar te fshati e te ferma dhe te industritë tona në zhvillim. Ai theksoi se vendi ynë e ka tokën e traditën për rikthimin e prodhimit bujqësor dhe atij industrial.

“Me zhvillimin e bujqësisë intenzive në Rahovec, produktet e bujqve të Rahovecit do të mbushin raftet e supermarketeve në krejt Kosovën. Në Rahovec mungojnë pikat grumbulluese për ruajtjen e produkteve bujqësore, jepen me vonesë subvencionet për bujqit, mungon rregullimi lumenjve dhe për pasojë kemi përmbytjen e tokave bujqësore. Jepni fund keqqeverisjes e arrogancës së komunarëve me 22 tetor, jepni shancën Visar Korenicës dhe këtyre asambleistëve që shkëlqejnë me dijen e tyre porsi numri 10”, tha po ashtu Albin Kurti.

Pas deputetit Kurti, kandidati për kryetar të Rahovecit, Visar Korenica, tha se programi ynë unifikon fshatin me qytetin, sepse qyteti zhvillohet nga fshati e fshati ka nevojë për qytetin.Ai u shpreh i bindur se me qeverisjen e tij, Rahoveci do të bëhet qytet në çdo fshat.

“Trafiku urban do të funksionalizohet për mbarë komunën e Rahovecit. Fshatrat kanë shumë për t’i treguar qytetit, e qyteti ka shumë çka të shohë në fshatra. Keni dëgjuar për kryetarë që menaxhojnë komunën tuaj, por nuk banojnë këtu. Nuk do të dëgjoni më për diçka të tillë pas 22 tetorit. Aktivizmi qytetar do të nisë në secilën lagje, e dora e qeverisjes do të ndihet në secilën shtëpi, sepse qeverisja është e secilit qytetar”, ishin disa nga zotimet e Korenicës për Rahovecin.

Tutje, ai premtoi shujta për nxënësit e shkollave fillore dhe ujë të pijshëm për gjithë qytetarët. Kurse, tha se edhe çështja e palestrës e filluar para 10 viteve, do të marrë fund gjatë qeverisjes së tij katërvjeçare. Ai prezantoi në fund edhe kandidatët që synojnë të jenë pjesë e Kuvendit Komunal të Rahovecit, duke iu thënë qytetarëve të kësaj komune se vetëm VETËVENDOSJE! mund t’i çojë punët deri në fund sepse e ka prioritar interesin e qytetarit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme