VV: Haradinaj po e thellon krizën në Telekom, në vend se ta zgjidhë

Prishtinë | 30 Qer 2018 | 12:55 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeveria Haradinaj nuk është e interesuar ta zgjidhë krizën në Telekomin e Kosovës por që ta thellojë edhe më tepër atë. Kështu tha Salem Lepaja, nga Komiteti për Komunikime Elektronike, në një konferencë të Lëvizjes Vetëvendosje të thirrur për situatën në Telekomin e Kosovës.

“Emërimi i Gent Begollit, një personi personalisht jokompetent, tregon vazhdimësinë e keqpërdorimit në këtë organizata. Edhe qeveria e tashme nuk është e interesuar ta zgjidhë krizën në Telekomin e Kosovës, por ta thellojë atë. Pushtetarët e kanë për qëllim që Telekomi i Kosovës të privatizohet në emër të kompanive të ndryshme p.sh në atë të Devollëve”.

Sipas Lepajës, kontrata joligjore e Telekomit me Z mobile ka qenë e panevojshme. Ai tha se kjo kontratë është përpiluar me qëllim të keqpërdorimit, raporton Ekonomia Online.

“Në vitin 2008 janë formuar dy grupe njëra pas tjetrës për përpilimin e kontratës, por në versionin final mbetet pa u kufizuar numri prej 200 mijë që i jepet në shfrytëzim ZMobile”.

Ndërsa Besnik Bislimi, nënkryetar i VV-së, tha se Telekomi i Kosovës është shfrytëzuar për zhvatje të pasurisë publike.

“Për disa vite Telekomi i Kosovës ka qenë shembull i një ndërmarrje publike stabile. Ka pasë tregun e garantum, ka pasë një rritje të vazhdueshme të numrit të konsumatorëve. Fitimet në baza vjetore të Telekomit kanë qenë të krahasuara me ndërmarrjet në rajon”.

“Në vend se avancimi i i Telekomit të shërbejë si motivim për rritje të mëtejme të kualitetit të shërbimeve, në mënyrë që kontributi për shtetin të jetë edhe më i fuqishëm, qeveria Thaçi 1 e pasuar nga qeveria Thaçi 2, e pasuar nga Mustafa e tanimë edhe qeveria Haradinaj, e kanë zgjedhë alternativën e kundërt”.

“U punësuan pa kriter e pa nevojë militantë partiakë. U drejtuan paratë zyrtarëve të lartë të partive në pushtet  përmes kontratave shumë të dëmshme, kurse tregu dhe klientët i ofruan sektorit privat. U morën prona me qira me çmim që tejkalon edhe çmimin e blerjes së tyre. U angazhuan kompani krejtësisht pa përvojë për procese shumë qenësore. U emëruan borde jokompetente e madje u tentua edhe privatizimi drejt pronarëve të dyshimtë”.

Të ngjashme