VV-ja organizon protestë më 29 shtator, fton qytetarët për pjesëmarrje

Prishtinë | 18 Sht 2018 | 13:35 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Albin Kurti, në një konferencë për media ka bërë të ditur se më 29 shtator, e shtunë, do të organizohet protestë paqësore në sheshin e Prishtinës, prej orës 14:00.

Sipas Kurtit, situata politike dhe gjendja ekonomike në vend është e rëndë. Ai thotë se pushteti në Kosovë e ka braktisur shtetndërtimin, raporton Ekonomia Online.

“Situata politike në Kosovë është e rëndë, sidomos nga ndërmarrja e Presidentit i Kosovës, Hashim Thaçi, për dialog të ri me homologun e tij serb, pa mandat nga Kuvendi, pa parime për dialogun, pa ekip gjithpërfshirës, si dhe me parashikimin e tij për ‘kompromis të dhimbshëm’ gjatë ‘korrigjimit të kufijve’”.

Ai e përsëriti mendimin e tij për presidentin, për të cilin tha se nuk ka as legjitimitet, as kompetencë, as kredibilitet, raporton EO.

“Kjo aventurë personale e presidentit të Kosovës duhet ndalur dhe duhet ndaluar. Ai tani shënon mbështetjen më të ultë qytetare në Kosovë në gjithë karrierën e tij politike. Ky president nuk as legjitimitet, as kompetencë dhe as kredibilitet”.

Kurti tha se gjendja ekonomike është e rëndë për shkak të mungesës së zhvillimit, si dhe, siç tha ai, teprisë së keqqeverisjes e korrupsionit.

“Edhe gjendja socio-ekonomike në Kosovë është e rëndë, për shkak të mungesës së zhvillimit e progresit dhe teprisë së keqqeverisjes e korrupsionit. Nga skandalet e shpeshta dhe të shumta të kryeministrit e të kabinetit enorm të tij, na nxjerrin veçse zgjedhjet e reja parlamentare. Qeveria po e bojkoton Kuvendin sepse ajo po e lufton opozitën, krejt kjo nën mbikëqyrjen e kryetarit të Kuvendit. Pushteti në Kosovë e ka braktisur shtetndërtimin demokratik: ai nuk e don sundimin e ligjit dhe nuk din për zhvillim ekonomik”.

Kurti ka ftuar të gjithë qytetarët, anëtarët e të gjitha partive dhe organizatave të bashkohen në protestën e organizuar më 29 shtator.

“I ftojmë qytetarët e të gjitha moshave e vendbanimeve, anëtarët e të gjitha partive dhe organizatave të bashkohen në protestë. Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, theksoi Kurti.

I pyetur lidhur me pjesëmarrjen e LDK-së për protestë, Kurti tha se përshtypja e tij është që LDK-ja më shumë ka interesim, sesa gatishmëri.

“Kemi pasë kontakt me LDK-në, dhe përshtypja ime është që ata kanë më shumë interesim sesa gatishmëri. Çdo ditë që kalon aq më shumë do binden se këto protesta do jenë të domosdoshme”.

I pyetur për deklarimet e presidentit për bashkimin e Luginës me Kosovën, Kurti tha se Thaçi po i mashtron qytetarët e kësaj pjese, raporton EO.

“Jo vetëm që nuk i besojmë dhe se është mashtrim i madh. Nuk lejojmë që Kosova të ndahet. E respektojmë parimin e reciprocitetit të të drejtave dhe e pranojmë dhe e duam referendumin e vitit 1992 në Luginë, por mos të shikohet vetëm teksti, por edhe konteksti. Ky president ka folur për kompromis të dhimbshëm. Për shumë vite i ka mashtruar qytetarët e Kosovës, e tash po i mashtron ata të Kosovës Lindore. S’duhet të ketë pazare territoresh thuajse i kanë të vetat”.

Sipas Kurtit, Thaçi po luan lojëra të rrezikshme për vendin duke “zëvendësuar Gjermaninë me Rusinë në politikën e jashtme të Kosovës”.

“Qytetarët e Luginës duhet të jenë vigjilentë e të vlerësojnë në bazë të veprave të reja e jo rrenave të vjetra. Po e konteston shtetësinë sepse po i bie se nuk është dashur të shpallej e pavarur me këta ‘kufij të gabuar’. Po e zëvendëson me politikën e jashtme Gjermaninë dhe Rusinë. SHBA ka qenë është dhe do të jetë në Kosovë e me Kosovën, por aventura personale e tij po e zëvendëson Gjermaninë me Rusinë. Ky s’kërkon më takim me Merkelin, por me Putinin. Nuk takon më zyrtarët e Gjermanisë, por takon Medvedevin. E ka shndërruar politikën e jashtme në një biçikletë fëmijësh që mund ta sjellësh në mënyrë rapide”, ka thënë Kurti.

Të ngjashme